IN MEMORIAM

Ndërron jetë prof. dr. Mahmut Hysa

18.03.2016 12:50

Ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare si pasojë e një ataku kardiak prof.dr.Mahmud Hysa...

I lindur në Dibër të Maqedonisë, ai kreu studimet në Universitetin e Beogradit, dega e albanologjisë.

Pas një pune disavjeçare në gjimnazin e Dibrës, ku kishte lindur, një kohë punoi në arsimin e Maqedonisë, e pastaj u zgjodh profesor në Universitetin e Prishtinës, në degën Letërsi e gjuhës shqipe. Ai ishte një ndër profesorët e parë gjatë themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku ka ligjëruar historinë e letërsisë. Ai është autor i shumë librave dhe botimeve shkencore nga kjo fushë.

Profesori Hysa ishte aktiv me shkrimet e tij në shtypin ditor në Prishtinë dhe Shkup deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ishte fitues i çmimit për vitin 2015 nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. Në Universitetin e Prishtinës ai për shumë vite ligjëroi historinë e letërsisë shqiptare. Është autor i një numri të madh veprash me rëndësi për historinë e letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Në kohë të fundit posaçërisht u mor me krijimtarinë e pasur të Ibrahim Kadriut. Ai do të varroset në Dibër, në vendlindjen e tij.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të profesorit të njohur të letërsisë dhe bashkëpunëtorit të këtij instituti. Gjatë vitit 2014, ITShKSh promovoi edhe njërën nga veprat e tij më të dashura, studimin monografik “Sait Nadeni–Hoxhë Voka–Hafiz Sherif Langu”. Me propozim të ITShKSh-së, gjatë vitit 2015 ishte fitues i çmimit të lartë shtetëror në Republikën e Maqedonisë “11 Tetori”, në sferën e shkencës dhe kulturës.