Turqia ende nuk jep pëlqim për propozimin evropian

18.03.2016 14:56

Udhëheqësit e BE-së janë dakorduar në parim për bazën e marrëveshjes me Turqinë dhe e njëjta mbetet t’i prezantohet kryeministrit, Ahmet Davutoglu...

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po shpreson tek marrëveshja, edhe pse, siç tha, që në orët e para të ditës së premte, negociatat nuk do të jenë dhe aq të thjeshta.

“Nuk kemi përcaktuar ndonjë datë, pasi që bisedimet duhet të shkojnë në bazë logjistike se si duhet ta përgatitet ky operacion, por në marrëveshje kemi theksuar se i gjithë procesi nuk duhet të zgjasë me javë të tëra, por të realizohet në kohë të shkurtë. E gjithë kjo ka të bëjë me një valë të kthimit të refugjatëve nga ishulli grek për në Turqi, proces i cili realizohet vetëm për disa ditë”- deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri, Ahmet Davutoglu, komentoi marrëveshjen e propozuar duke e cilësuar atë si “të qartë dhe të ndershme”, por shtoi se “Turqia nuk do të kthehet në një burg të hapur për emigrantët”.

“Të gjitha këto zhvillime dëshmojnë se anëtarësimi i Turqisë në BE është i rëndësishëm jo vetëm për Turqinë dhe BE-në, por edhe për çështjet ndërkombëtare. Çështja e refugjatëve nuk është një çështje e bisedimeve apo vetëm e Turqisë, por një çështje e vlerave humane dhe evropiane. Deri më tani Turqia ka pranuar 2.7. milionë refugjatë pa asnjë ndihmë dhe ajo do të vazhdojë ta mbajë këtë qëndrim në politikat e saj. Sigurisht që ne e kemi të njëjtin qëllim, të ndihmojmë refugjatët sirianë në veçanti, për një të ardhme të ndritshme”- tha kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Greqia duhet ta njohë Turqinë si një vend të sigurt të tretë. Turqia detyrohet që t’i pranojë mbrapsht të gjithë refugjatët dhe të respektojë Konventën e Gjenevës. Për secilin refugjat sirian që kthehet, BE do të marrë një refugjat sirian në rrugë të ligjshme. Rasti i çdo refugjati do të trajtohet në Greqi, por kërkesat për azil edhe mund të refuzohen. Në këmbim Turqia kërkon 6 miliardë euro ndihma, si dhe heqjen e vizave për shtetasit turq deri në fund të qershorit.

Nga ana tjetër, Qeveria greke mbetet e shqetësuar me zhvillimet e fundit, të cilat rezultuan në konfrontimin në mes të refugjatëve në dy kampet provizore të Idomenit dhe atë të Pireut, ku janë evidentuar edhe të plagosur, ndërsa shumë media vendase në komentet e tyre thonë se ishte çështje kohe të ndodhte diçka e tillë. Refugjatët kanë marrë ligjin në duart e tyre, duke dashur të linçojnë një refugjat tjetër të cilin e kanë akuzuar se ka dashur të përdhunojë një vajzë 7-vjeçe. Ndërsa në Portin e Pireut, ku në mëngjesin e së premtes kanë mbërritur nga ishujt edhe dy anije të tjera me rreth 700 refugjatë të tjerë, disa dhjetëra afganë dhe sirianë janë konfrontuar në mbrëmjen e së enjtes, kur po ndaheshin vaktet e ushqimit, për të marrë diçka më tepër. Në të gjitha kampet e vendit tashmë numërohen më shumë se 46 mijë refugjatë. (Leunora Kaliqi, TVM2)