Shkupi turpëron Crna Rekën midis Kavadarit
Shkupi mbrëmë në transfertën ndaj Crna Rekës ka shënuar fitoren më të lartë si mysafir këtë edicion duke mundur skuadrën nga Kavadari me rezultatin 10:2...

Ishte kjo një super ndeshje në të cilën “bardhekaltërit” u futën mjaft të motivuar që nga fillimi, ndërsa kur një gjë e tillë ndodh me futbollistët shkupjan, atëherë çdo kundërshtarë e ka të vështirë për ti ndaluar ata. Mbërëmë një gjë të tillë përjetoi skuadra e Crna Rekës, e cila nuk kishte kundërpërgjigje për të përzgjedhurit e trajnerit Lekiq, të cilët pjesën e parë e mbyllën me rezultatin 6:0.
Eroll Dalip paralajmëroi fitoren e Shkupit duke shënuar golin e parë në këtë përballje, që më pas në skenë të dalë Erkan Seferi me dy gola për rezultat 3:0. Eroll Dalip shënoi golin e katërt për Shkupin, ndërsa fundi i pjesës së parë kaloi në shenjë të Rexhep Sulejmanit i cili me dy gola të shënuar bëri që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin e thellë, Crna Reka 0, Shkupi 6.
Vendasit e Crna Rekës këtyre 6 golave të Shkupit iu kundërpërgjigjen me dy gola të njëpasnjëshëm për të zbutur rezultatin në 2:6 kur luhej minuta e 26-të e ndeshjes, mirëpo ishte kjo gjithçka që bënë vendasit në këtë takim, pasi në vazhdim ishin futbollistët e Shkupit ata të cilët diktuan tempo dhe krijonin raste para portës vendase, ku si rezultat erdhën edhe 4 gola tjerë të shënuar me autorë Erkan Seferi, Bejtulla Jakupi, Agron Fazilja dhe Erhan Idrizi.
Për Shkupin ishte kjo fitorja e 14 në kampionat, duke u renditur sërish në pozitën e dytë me 42 pikë, 16 më pak se lideri Zhelezareci që mbrëmë mundi Velesin në transfertë me rezultatin 0:6. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar po mbrëmë, Ilirët në përballjen shqiptare mundën SEE Univerzitetin me rezultatin 8:3. Java e 20-të në elitën e futsallit në vend mbyllet të dielën me ndeshjet Mal Ajaks – Hedis dhe Skopje – Juventus Serava. Kjo e fundit zhvillohet në palestrën “Enver IDRIZI” me fillim në ora 18:00.
