Maqedoni

Anketë në Pollog, 83% pro shpalljes së malit Sharr në Park Nacional

18.03.2016 16:49

Në 30 vendbanime të komunave të Pollogut është realizuar një anketë nga Shoqata ekologjike “Miqtë e Sharrit” lidhur me atë se si e vlerësojnë qytetarët projektin që mali Sharr të shpallet Park Kombëtar...

83% e banorëve të anketuar janë shprehur pro, duke theksuar se mali Sharr ka potencial dhe kapacitet për një gjë të tillë, pasi vlerësojnë se nga shpallja e malit Sharr në Park Kombëtar do të përfitojë i gjithë rajoni i Sharrit si në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe atë të turizmit, dhe në të njëjtën kohë do të ruhen dhe mirëmbahen resurset që dalin nga mali Sharr.
 
“Me këtë përfshihet një numër i madh i banorëve, diku rreth 250.000 mijë banorë. Banorët janë të vetëdijshëm dhe kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe kanë filluar të jenë më të vetëdijshëm për mbrojtjen e malit Sharr, ku 83% e banorëve lokal, që jetojnë në këtë rajon, duan që mali Sharr të shpallet si Park Nacional”- deklaroi Metin Muharemi nga CED.
 
Ndërkohë sipas organizatorëve që kanë realizuar këtë anketë edhe pse mbi 83% e qytetarëve janë të  mendimit pozitiv që mali Sharr të shpallet Park Kombëtar, një pjesë e madhe janë të vetëdijshëm se çfarë dobie dhe përfitimesh do të kenë në qoftë se mali Sharr do të shpallet Park Nacional. 
 
VISAR SADIKI