Maqedoni
Video promovuese, një hap më përpara në ruajtjen e natyrës
18.03.2016 17:04
Me 3 videot promovuese do të promovohet shumëllojshmëria biologjike,viset dhe zonat me pasuri të madhe natyrore, si dhe koncepti i menaxhimit të qëndrueshëm me pyjet në pellgun e lumit Bregallnicë...

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, në fjalimin e tij tha se mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë natyrore, si një ndër qëllimet prioritare të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, kërkon edhe zbatim të aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes publike për mbrojtje të natyrës.
“Shpresoj se me prezantimin e trashëgimisë natyrore, me njoftimin dhe informimin e publikut për vlerat natyrore që i posedon shteti ynë, do të ndikojmë në ndryshimin e shprehive të popullatës lokale drejt zhvillimit të qëndrimit të përgjithshëm ndaj trashëgimisë natyrore bazuar në sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt promovimit më të gjerë të pasurisë natyrore nacionale në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
Projektin e mbështet edhe Ambasada e Zvicrës në Maqedoni, me ç’rast ambasadorja Tehada tha se pellgu i lumit Bregallnica është i njohur për shumëllojshmërinë biologjike dhe pasurinë e resurseve natyrore.
“Pjesa lindore e vendit, përkatësisht pellgu i lumit Bregallnica, është i njohur për shumëllojshmërinë biologjike dhe pasurinë e resurseve natyrore. Për shkak të kësaj, Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në vitin 2012 vendosi ta realizojë programin për ruajtjen e natyrës në këtë rajon me qëllimin final, të kontribuojë për jetë më të mirë të banorëve lokal nëpërmjet mbrojtjes së natyrës dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve natyrore”- tha ambasadorja e Zvicrës në RM, Sibil Suter-Tehada.
Përpunimi i programit i ndihmon Maqedonisë në realizimin e kërkesave të NATURA 2000, një nga parakushtet për anëtarësim në BE. Qendra për Zhvillim të Rajonit Planor Lindor është partner strategjik i Programit, ndërsa realizimi i aktiviteteve programore është në partneritet me Ministrinë e Ambientit, komunat, Agjencinë e Planifikim të Hapësirës, Ministrinë e Bujqësisë dhe Fakultetin e Pylltarisë në Shkup.
GYLTENE SINANI
