Botë
Ligjëratë-të zhdukurit nga lufta e Kosovës, numri i të zhdukurve mbetet i lartë
18.03.2016 17:24
Numri i personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–99 vazhdon të mbetet tejet i lartë...

Sipas të dhënave të hartuara nga Komiteti ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, ky numër rezulton të jetë 5 087.
Koordinatori i Asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur, Haki Kasumi, në një ligjëratë të mbajtur në Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup tha se autoritet kosovare nuk kanë bërë sa duhet në gjetjen e personave të zhdukur.
“Është formuar Komisioni qeveritar për personat e zhdukur, por ai nuk është funksional sa duhet, ngase nuk është i përbërë prej ekspertëve, të cilët do të mund të jepnin më shumë, gjegjësisht maksimumin e tyre për zgjidhjen e këtij problem, i cili është shumë i ndërlikuar, shumë i dhimbshëm dhe shumë i rëndë”- deklaroi koordinatori i Asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur, Haki Kasumi.
Për ngecjen e procesit të gjetjes së personave të zhdukur akuzohet edhe Serbia. Beogradi zyrtar, edhe pse nënshkrues i më shumë konventave, aspak nuk ka kontribuuar në këtë drejtim, thotë Kasumi.
“Disa herë kemi kërkuar që të hapen dosjet e ushtrisë, formacionit ushtarak që ka vepruar në Kosovë, pastaj që të hapen dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngase në to qëndrojnë shumica absolute e të dhënave për krimet e shumta të kryera në Kosovë”- theksoi Kasumi.
Procesi i gjetjes së personave të zhdukur po alarmohet edhe jashtë Kosovës. Regjimi serb në vitet ‘98-‘99 në Kosovë ka kryer masakra masive. Më e njohur në mbarë rruzullin tokësor është masakra e Reçakut. Pamëshirshëm janë vrarë popullata civile, përfshi këtu edhe më të vegjlit e familjeve shqiptare.
MERAL ISMAILI
