Maqedoni

Konferenca përmbyllëse e projektit “Fuqizimi ekonomik i grave”

18.03.2016 17:41

Në organizim të Iniciativës qytetare të femrave “Antiko” dhe komunës së Kërçovës, sot u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Fuqizimi ekonomik i grave”...

Në organizim të Iniciativës qytetare të femrave “Antiko” dhe komunës së Kërçovës, sot u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Fuqizimi ekonomik i grave”, i cili mbështetet nga Ambasada britanike në Shkup.
 
“Barazia gjinore dhe mundësitë e integrimit të gruas përbëjnë një sfidë permanente të shoqërisë civile, prandaj edhe qëllimi i këtij projekti është krijimi i politikave afatgjate të zhvillimit për fuqizimin ekonomik të grave”, tha udhëheqësja e projektit, Gyner Nebiu, e cila shtoi se “programi përcakton tre shtyllat avancuese të zhvillimit, resurset, shërbimet dhe informacionin, komponente këto që sigurojnë perspektivën integruese të grave në shoqërinë civile”.
 
“Roli i grave në shoqëri është i rëndësishëm, prandaj të gjithë ne duhet të reflektojmë në krijimin e perspektivës, ku pjesë e mbështetjes detyrimisht duhet të jetë edhe pushteti lokal”, tha kryetari komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili shtoi se “komuna që ai drejton gjithnjë do të angazhohet për avancimin e pozitës së gruas, që përbën shtyllën kryesore të familjes”. 
 
Projekti “Fuqizimi ekonomik i grave” mbështetet nga Ambasada britanike në Shkup. Ambasadori, Çarls Garnet, duke falënderuar Iniciativën qytetare të grave “Antiko” dhe komunën e Kërçovës, vuri në dukje se projekte të këtilla, që avancojnë pozitën e grave në shoqëri, Ambasada britanike do të mbështesë edhe në të ardhmen.
 
SHABAN DALIPI