Maqedoni
Diplomatët, kritik ndaj vendimit të Kushtetueses për faljen
18.03.2016 18:07
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë presidentit të falë mashtruesit zgjedhorë, pedofilët dhe kryerësit tjerë të krimeve të rënda ka hasur në kritikë edhe të diplomatëve të huaj...

Sipas Ambasadës amerikane: “Shpejtësia e veprimit të Gjykatës Kushtetuese dhe dhënia e vendimit në mënyrë jotransparente përbëjnë një akt jashtëzakonisht të paprecedent. Vendimet e Gjykatës janë në kundërshtim me vetë procedurat e saj. Institucionet e Maqedonisë duhet të demonstrojnë angazhim për përmbushjen e standardeve evropiane, përfshi seriozitet rreth frenimit, zbulimit dhe në rastet kur vërtet ka ndodhur, ndëshkim ndaj mashtrimit elektoral. Fatkeqësisht, shumë në Maqedoni e interpretojnë kohën e marrjes së këtij vendimi, mbylljen e dyerve, si dhe natyrën e vendimin e gjykatës si një akt mosndëshkimi ndaj abuzimeve elektorale. Kjo nuk i ndihmon ndërtimit të besimit të qytetarëve ndaj sistemit”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së.
Ngjashëm shprehet edhe Ambasada e BE-së:“Çdo mekanizëm për mosndëshkimin e veprave penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, përbën kundërveprim ndaj përpjekjeve të vendit dhe komunitetit ndërkombëtar, në drejtim të krijimit të kushteve për zgjedhje të besueshme. Një veprim i tillë është në kundërshtim me vendimin e Kuvendit dhe të gjitha partive politike për të krijuar një Prokurori Speciale për të shqyrtuar dhe ndjekur penalisht akuzat, përfshi edhe shkeljet nga zgjedhjet e mëparshme”, theksojnë nga Ambasada e BE-së.
Edhe ambasadorja e Francës thotë se vendimi i fundit i Kushtetueses mund të çojë drejt humbjes së besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
