Maqedoni

Kryqëzimi i të dhënave, KShZ pritet të publikojë raportin; Zaev: Të kontrollohen mbi 200 mijë votues

18.03.2016 18:14

Në pritje të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të publikojë zyrtarisht raportin nga kryqëzimi i të dhënave, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se në terren të kontrollohen mbi 200 mijë votues...

Lideri i LSDM-¬së, Zoran Zaev, thotë se vetëm me pastrim të plotë të Listës zgjedhore dhe me reformat në media mund të ketë zgjedhje të drejta, të rregullta dhe demokratike.

"Ajo është diçka që është pjesë e marrëveshjes së Përzhinës, ajo është pjesë e vlerësimit të fundit nga komuniteti ndërkombëtar, por njëkohësisht është obligim i Maqedonisë pas raportit nga Bashkimi Evropian", tha Zaev.

Sipas tij, në terren duhet të kontrollohen mbi 200 mijë votues.

"Prej 495.000 votuesve të dyshimtë apo kontestues, 123.000 janë pa dokument valid dhe ata nuk janë pjesë përbërëse e 1.811.000 votuesve të cilët i ka Lista zgjedhore. Do të thotë, 372.000 mbetën kontestues dhe të dyshimtë. Nëse prej tyre i nxirrni të gjithë me yll, ata janë qytetarët të cilët kanë të drejtë vote dhe votojnë jashtë vendit, diku rreth 78.000. Mbi 200.000 duhet të kontrollohen në terren në mënyrë që të konstatohet ajo që e presim. Një pjesë mjaft e madhe e tyre nuk do të shlyhen, ata mbeten në pjesën e dytë për shkak të asaj që ata janë qytetarë tanë me të drejtë vote, ndërkaq jetojnë jashtë vendit. Ata do të ndahen në pjesën e dytë të listës. Pjesa e parë është që duhet të konfirmojë fantomë. Vetëm votuesit fiktivë, ata të cilët nuk ekzistojnë dhe janë trilluar, ata do të fshihen nga vetë lista zgjedhore. Por, për këta mbi 200.000 presim të ketë kontrollim në terren", tha Zaev.