Basketboll
Golden State i pandalshëm, Lakers në krizë të thellë
19.03.2016 16:14
Një tjetër 3 pikësh për t’u vendosur në muze. Stephen Curry rrëmbeu një top nga duart e Dirk Nowitzkit për të realizuar nga një distancë e madhe në fundin e periodës së katërt...
Një tjetër 3 pikësh për t’u vendosur në muze. Stephen Curry rrëmbeu një top nga duart e Dirk Nowitzkit për të realizuar nga një distancë e madhe në fundin e periodës së katërt, duke i dhuruar një tjetër sukses skuadrës së Golden State që kaloi 130-112 Dallas Mavericks.
Ylli i skuadrës kaliforniane e mbylli mbrëmjen me 31 pikë personale, ndërsa Klay Thompson bëri edhe më mirë me 39 pikë. Suksesi i 62 sezonal për kampionët dhe i shtati rresht.
Ata janë vetëm 10 suksese larg rekordit të Chicagos që në vitin 1996 arriti të shkonte në kuotën 72. Në krahun tjetër, për Dallas, Nowitzki e mbylli mbrëmjen me 24 pikë personale por skuadra teksane vijin ecurinë negative me 6 humbje në 8 ndeshjet e fundit.
Në Divizionin e Lindjes, Cleveland vazhdon të diktojë ritmin pas një tjetër suksesi të regjistruar në fushën e Orlando Magic 109-103.
Kyrie Irving dhe LeBron James po tregojnë një formë në rritje dhe poshtë koshit u shfaqën të pamarkueshëm nga mbrojtësit kundërshtarë duke realizuar të dy në total 44 pikë.
Me 50 % të gjuajtjeve në kosh dhe 28 për 3 pikë, skuadra nga Ohio nuk e pati aspak të vështirë për të arritur fitoren e radhës që e mban në pozita komode në krye të Konferencës së Lindjes.
Në përballjet e tjera, Oklahoma kaloi Philadelphia 111-97, Detroit mundi Sacramenton 115-108, ndërsa Toronto dominoi Boston në sfidën direkte për vendin e dytë të lindjes me rezultatin 105-91.