Formula 1

Formula 1, kualifikueset kthehen në formatin e vjetër

20.03.2016 17:00

Pas zhgënjimit në garën e parë në Australi, Formula 1 shfaqi nevojën që të heqë dorë nga formati i ri i kualifikueseve...

Sipas bosit të Cirkusit, Bernie Ecclestone, ndryshimi mund të vijë prej garës së ardhshme në Bahrain. Formati i ri parashikonte që pilotët të eliminoheshin në mënyrë progresive gjatë sesioneve, duke lënë në garë vetëm dy pretendentë për pole position.
 
Ai supozohej të dhuronte emocione dhe të rriste adrenalinën edhe për tifozët. Por, ajo që u pa në televizion ishte pista e boshatisur dhe pa makina që konkurronin në minutat finale të provave zyrtare.
 
I pyetur nëse formati do të ndryshojë përpara garës së dytë të sezonit, më 3 Prill në Bahrein, Ecclestone u përgjigj “Po”.
 
Ai shtoi se “kjo ishte një ide e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit” dhe për të ndryshuar metodën sesi zhvillohen kualifikueset “nevojitet miratimi i FIA-s”.
 
Formati i ri u aprovua në mënyrë unanime nga 11 skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e Formula 1 dhe u aprovua nga FIA, por Eçlestone deklaroi se ai nuk e pëlqente këtë propozim.
 
Bosi i garave me makina zbuloi se ideja e tij ishte që “kualifikueset të qëndronin ashtu siç ishin, ndërsa pilotët e klasifikuar nga vendi i parë deri në të dhjetin në garën e mëparshme do të kishin më tepër kohë në dispozicion për xhirot e shpejta”.
Ndryshimi duket një domosdoshmëri për ta mbajtur garën tërheqëse, pasi tifozët në tribuna, telespektatorët por edhe vetë pilotët e cilësuan formatin një dështim total.