Botë

Londra në gatishmëri, frikë nga sulmet terroriste

21.03.2016 12:01

Sipas shtypit britanik, Forcat Speciale Britanike, njësi të Policisë Metropolitane...

Sipas shtypit britanik, Forcat Speciale Britanike, njësi të Policisë Metropolitane, madje edhe një regjiment i ushtrisë janë vënë në gatishmëri për të përballuar deri në dhjetë sulme terroriste të njëkohshme, të ngjashme me ato të Parisit, katër muaj më parë. 

Shefat e sigurisë britanike i frikësohen sulmeve të ngjashme me ato të Parisit nga terroristët e rikthyer nga Siria. Sipas “The Sunday Times” të Londrës, një regjiment i ushtrisë është në gatishmëri në Oksford, duke bashkëpunuar me njësinë e çmontimit të bombave kimike dhe biologjike.

Forcat Speciale janë duke zhvilluar manovra për të reaguar në rastet e mjeteve shpërthyese të improvizuara. Për të penguar një sulm të ngjashëm terrorist, si ai në Paris, mësohet se edhe Agjencia Kombëtare e Luftës Kundër Krimit ka nisur një ofensivë për asgjësimin e armëve të zjarrit.

Ky lajm konfirmohet pas arrestimit në Bruksel ditët e fundit të të dyshuarit tjetër për sulmet terroriste në Paris, katër muaj më parë, ku humbën jetën 130 persona.

Mendohet se puna e Shërbimeve Sekrete britanike qëndron në një masë të madhe pas suksesit të eliminimit të sulmeve dhe komploteve të shumta terroriste në Britani gjatë viteve të fundit.