Botë

Nis zbatimi i marrëveshjes me BE-në, qindra emigrantë kthehen pas në Turqi

21.03.2016 12:08

Autoritetet turke kanë kthyer mbrapsht qindra emigrantë që i kanë kapur në brigjet e vendit...

Shumica prej tyre, menjëherë sapo kanë arritur në qendrat turke të regjistrimit, kanë kërkuar të lejohen të vijojnë udhëtimin e tyre drejt Evropës.

Rreth 200 persona, kryesisht sirianë, u kapën në brigje nga forcat turke të sigurisë dhe pasi u mbajtën pothuajse një ditë në një anije, u dërguan me autobus në qendrat e regjistrimit.

Bregdeti, plazhet dhe pyjet e zonës së njohur turiste të Ayvalik, një pikë e nxehtë për emigrantët që kalojnë në Evropë, gjatë gjithë ditës së diel kanë qenë të qeta.

Një tregtar i zonës u shpreh se numri i emigrantëve është reduktuar ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundit.

Turqia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen, që synon të ndalojë emigrantët të kalojnë në Greqi.

Sipas saj, të gjithë klandestinët që hyjnë në Greqi do të kthehen pas në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa e tyre refuzohet.