Maqedoni

Ligjit për shërbimin gjyqësor, nuk ka marrëveshje për dispozitat kontestuese

21.03.2016 15:39

Bisedimet mes nëpunësve gjyqësorë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësorë për t’u marrë vesh...

Bisedimet mes nëpunësve gjyqësorë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësorë për t’u marrë vesh në lidhje me dispozitat kontestuese të Ligjit për shërbimin gjyqësor kanë dështuar. Nga Shoqata e nëpunësve gjyqësorë thonë se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë, prandaj kanë vendosur që sërish të futen në grevë. 
 
“Më 23, 24 dhe 25 mars do të mbajmë grevë treditore dhe nuk do të jetë paralajmëruese, por do të zgjasë gjatë gjithë ditës, pra s’do të jetë vetëm 2 orë grevë”- deklaroi kryetari i Shoqatës së nëpunësve gjyqësorë, Borçe Mirçevski.
 
Nga Sindikata e punonjësve gjyqësorë thonë se kërkesat e tyre janë shtuar, përveç ndryshimit të Ligjit për praktikë gjyqësore, ndryshim të orarit të punës dhe pagesën e 5%-it për 2015 të premtuar nga qeveria, ata kërkojnë edhe rritjen e pagave për administratorët gjyqësorë. 
 
“Ky vendim për të mbajtur grevë vjen sepse ka plot pakënaqësi që dalin nga ligji që u soll në vitin 2014 me procedurë të shkurtuar, ka shumë dispozita kundërkushtetuese, nuk mund të zbatohet dhe është restriktiv. Të gjithë duhet të dinë se numri më i madh i administratorëve gjyqësorë marrin rrogë e cila është më e vogël se rroga mesatare në Maqedoni, prandaj dhe janë shtuar kërkesat”- tha Verica Taseva nga SPOGJ.
 
Ndryshe, nëpunësit e administratave të të gjitha gjykatave të vendit, më 3 dhjetor të 2015 për dy orë mbajtën grevë për ndryshimin e Ligjit praktik gjyqësor.
 
SANIJE DURAKU