Botë
Edhe vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani
21.03.2016 15:59
Vitin e kaluar shumë shtetas të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së...

Vitin e kaluar shumë shtetas të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, por ditëve të fundit në mediat e Kosovës dhe ato ndërkombëtare ka bërë bujë njoftimi se edhe Ragip Mustafa, vëllai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, vitin e kaluar kishte kërkuar azil fillimisht në Francë, e më pas edhe në Gjermani.
Por, kryeministri, Isa Mustafa, thotë se vëllai i tij ka shfrytëzuar rrugët ilegale për të kërkuar strehim jashtë Kosovës, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për sëmundjen e rëndë që ka, për të cilën nuk ka gjetur shërim në Kosovë.
Ai thotë se nuk ka biseduar me vëllanë për këtë temë, por i ka ardhur mjaft keq kur ka dëgjuar se ka qenë i shtytur nga sëmundja që të bëjë një veprim të tillë.
“Unë e kam kuptuar më vonë se në vlugun e njerëzve, të cilët kanë kërkuar strehim në vendet e tjera, ka qenë edhe vëllai im. Mirëpo, për sa kam informacione, ka qenë për nevoja personale e shëndetësore, sepse vuan për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk ka gjetur shërim këtu. Mirëpo në asnjë rast nuk e ka çelë kurrë bisedën në familjen e gjerë se ai do të kërkojë strehim jashtë, edhe përmes strehimit do të kërkojë edhe shërimin. Mua më ka ardhur keq kur e kam dëgjuar atë informatë. Por, edhe ai ka ndarë fatin e shumë qytetarëve tanë, të cilët qoftë për shkak të problemeve sociale, të papunësisë apo të shpresës së do të zgjidhen problemet e tyre jashtë vendit, e ka bërë këtë, në mënyrë që të gjejë zgjidhje shëndetësore për një periudhë të caktuar kohore. Kjo nuk është arritur, ai është kthyer dhe është këtu”- sqaroi Isa Mustafa lidhur me këtë rast, që ka zënë vend edhe në njoftimet e mediave të njohura ndërkombëtare, të cilat njëherit shkruajnë se shkas për migrimin e shumë shtetasve të Kosovës është kriza ekonomike.
GYLTENE SINANI
