Raporti i PPS-së në Kuvend, VMRO derdh akuza mbi Janevën, LSDM: keni frikë nga puna e Janevës

21.03.2016 16:00

Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive nuk e shqyrtoi raportin e Prokurorisë Publike Speciale për punën gjashtëmujore....

Kryetari i Komisionit, Vlladimir Gjorçev, pezulloi seancën me arsyetimin se prokurorja publike speciale nuk i ishte përgjigjur ftesës për të sqaruar raportin para deputetëve në këtë Komision. Ai, madje, ftoi prokuroren, Katica Janeva, që të fillojë të punojë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.   

“Prisja që zonja Katica Janeva është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka dhe e vetëdijshme se përfundimisht duhet të fillojë të punojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës. Më vjen keq që nuk e shfrytëzoi mundësinë që të vijë para deputetëve dhe të japë raport të plotë dhe të saktë për punën e vet”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Gjorçev.

Mirëpo, opozita maqedonase hodhi poshtë pretendimet e VMRO-së. Sipas opozitës maqedonase, pezullimi i seancës së sotme është vazhdim i praktikës së VMRO-së për të mos diskutuar raportet e prokurorit publik.    

“Është e qartë se VMRO-DPMNE nuk ka qëllim që të debatojë mbi raportin e Prokurorisë Publike Speciale. Dëshmi për këtë është edhe praktika e deritanishme e VMRO-DPMNE-së, sipas së cilës raportet e prokurorëve publik nuk janë shqyrtuar kurrë”- tha deputetja e LSDM-së, Renata Deskoska.

Deskoska pyeti kryetarin e Komisionit për sistem politik, Vlladimir Gjorçevin, pse nuk ka caktuar seancë për shqyrtimin e raportit të fundit të kryeprokurorit publik, Marko Zvërlevski, të dorëzuar në Kuvend më 23 qershor të vitit të kaluar. 

Ndryshe, seanca e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, ku duhet të shqyrtohet raporti i Prokurorisë Publike Speciale, u caktua për të martën, në orën 11.

Përveç ftesës me shkrim, kreu i Komisionit, Vlladimir Gjorçev, i dërgoi edhe ftesë publike prokurores speciale. (Shpëtim Nuredini, TVM2)