Në Trebosh dhe Pallaticë të Zhelinës, investime për kanalizimin dhe ujësjellësin
Fshati Trebosh pritet që këtë vit të zgjidhë përfundimisht problemin shumëvjeçar, kanalizimin dhe ujësjellësin...

Kjo u bë e mundur me nënshkrimin e marrëveshjes mes kryetarit të komunës së Zhelinës, Fatmir Izairit, dhe ministrit të Ekologjisë, Nuran Izairit. Nga kjo marrëveshje përfiton edhe fshati Pallaticë, ku është paraparë të ndërtohet ujësjellësi.
“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sigurisht që është më meritorja për përfundimin, do kisha thënë, përfundimin e rrjetit sidomos të kanalizimeve, pasi që bëhet fjalë edhe për një pjesë të ujësjellësve andej në Trebosh dhe Pallatic. Bashkë me një pjesë të kolektorit atje, që këtë vit Ministria e Pushteti Lokal hap zyrën për bashkëpunim të barabartë rajonal, dhe për kolektorin përfundon rreth 30 km rrjet të kanalizimeve bashkë me atë të ujësjellësve paralel në Trebosh dhe Pallatic”- tha kryetari i komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
“Ne me kryetarin e komunës nënshkruam një marrëveshje bashkëfinancimi të projektit të kanalizimit të fshatit Trebosh. Bëmë nënshkrim të një marrëveshjeje, që brenda këtij viti duhet të përfundojë edhe një pjesë e kanalizimit për fshatin Trebosh. Me këtë ne po dëshmojmë se kemi një qasje shumë serioze rreth mbrojtjes së ambientit, posaçërisht mbrojtjes së ujërave, ky është një projekt në vazhdën e aktiviteteve që ne me komunën e Zhelinës i kemi pasur edhe në të kaluarën”- tha ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi.
Ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, njëherit paralajmëroi se në bashkëpunim me pushtetin lokal do të vazhdojnë investimet e këtilla edhe në vendbanime dhe komuna tjera. (Visar Sadiki, TVM2)
