Maqedoni
Refugjatët e mbetur në vendet ballkanike presin implementimin e marrëveshjes BE-Turqi
21.03.2016 16:36
Komisioni Evropian miratoi propozimin për zbatimin e vendimit për shpërndarjen dhe sistemimin e 54.000 refugjatëve sirianë në vendet e BE-së...

Kryesisht bëhet fjalë për refugjatë të cilët janë bllokuar në rrugën ballkanike pas mbylljes së kufijve evropianë, pjesa më e madhe e të cilëve në Greqi.
Por, deri sa po bëhen përpjekje për implementimin e marrëveshjes BE-Turqi, evidentohet kalimi i 1600 refugjatëve nga Turqia në Greqi mes detit Egje.
Madje, grupe të refugjatëve në Athinë kërkojnë hapjen e kufijve.
“Familja ime, gruaja dhe fëmijët janë në Belgjikë tanimë 5 muaj, do të shkoj tek ata. Programi për sistemimin e refugjatëve do të zgjasë shumë, prej 6 deri më 9 muaj. Duhet tani të hapen kufijtë”- theksoi një refugjat.
Por, propozimi i KE-së, në përputhje me marrëveshjen BE-Turqi, pritet të ndikojë në uljen e refugjatëve drejt Greqisë, pasi refugjatëve sirianë do t’u sigurohej transferim i drejtpërdrejtë nga Turqia.
Pas mbylljes së rrugës ballkanike për transitim në kampin për qëndrim të përkohshëm të refugjatëve në Tabanoc kanë ngelur 1300 refugjatë, ndërsa 399 të tjerë qëndrojnë në tenda të vendosura në kufirin me Serbinë.
Ndërsa presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, sërish ka folur me tone kritike ndaj BE-së lidhur me krizën e refugjatëve.
Duke folur në konferencën "Pozita gjeostrategjike dhe gjeopolitike e Maqedonisë në kushte të krizës migruese dhe të refugjatëve", Ivanov nënvizoi se BE mekanizmat burokratikë duhet t’i zëvendësojë me ato demokratikë.
“Kriza është një mundësi për BE-në që mekanizmat burokratë t’i zëvendësojë me ato demokratikë në lidhje me përforcimin e menaxhimit me krizën. Fundja do të jetë kjo një mundësi për rikthimin e ndjenjës së shtetësisë dhe përgjegjësisë politike. Partitë politike nuk guxojnë ta keqpërdorin krizën për politikë ditore në periudhën parazgjedhore. Duhet të ketë fund të ndasive politike dhe thellimit të krizës politike në interes të vendit”- tha kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Organizatat joqeveritare, të cilat u kanë dalë në ndihmë refugjatëve në Tabanoc, thonë se janë të shqetësuar për shëndetin e refugjatëve.
Në këtë kamp gjatë fundjavës janë paraqitur edhe dy raste me zgjebë, prandaj kërkojnë nga Brukseli dhe institucionet kompetente në vend t’u dalin në ndihmë këtyre personave.
Pas mbylljes së rutës ballkanike në Qendrën e pranimit në Gjevgjeli janë të evidentuar 30 refugjatë.
LEUNORA KALIQI
