Maqedoni
21 marsi-Dita e Pranverës, me aktivitete ekologjike në shumë qytete
21.03.2016 16:53
Dita e parë e stinës së pranverës, 21 marsi, u shënua me aktivitete të shumta, përfshi edhe ato ekologjike, në komunën e Çairit...

Të vegjlit e Kopshtit “Fidani” kishin përgatitur shfaqje me vjersha e vallëzime për prindërit dhe familjarët e tyre.
Drejtoresha e Çerdhes “Fidani”, Rabije Loku, theksoi se në këto aktivitete po marrin pjesë 400 fëmijë, ndërsa programi u realizua në sallonin 19:19 me të vetmin qëllim, që fëmijët ta sfidojnë skenën.
“Për herë të parë e realizojmë në këtë mënyrë. Prindërit shumë mirë e pritën, edhe ata në fakt duan t’i shohin fëmijët e tyre në skenë. Edhe prindërit janë angazhuar në qepjen e kostumeve të fëmijëve, por edhe vetë edukatorja ka vendosur se çka do veshin fëmijët në skenë”- deklaroi drejtoresha e Kopshtit “Fidani”, Rabije Loku.
Në aktivitete ekologjike me këtë rast u përfshinë Unioni i nxënësve të shkollave të Çairit dhe degët tjera në qytete të ndryshme të vendit.
“Me rastin e Ditës së Pranverës mori iniciativë në përgjithësi si union edhe në degët tjera që i ka në Shkup, Gostivar, Kumanovë dhe në qytetet tjera. Secili regjion mori iniciativën nga nxënësit, nga anëtarët e shkollave të mesme që të bëjnë një aksion ekologjik me pastrimin e vendeve dhe parqeve të qytetit”- tha nga Unioni i nxënësve, Majlinda Qirafi.
Dita e Pranverës me aktivitete për ruajtjen e ambientit u shënua edhe në komunën e Tetovës. Në aktivitet janë përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta.
“Bashkë me nxënësit e shkollës gjithmonë më 21 mars e bëjmë këtë lloj aktiviteti. Me qëllim të përfshirjes së tyre, sepse vetëdijesimi i tyre sa i përket natyrës, sa i përket mirëmbajtjes së ambientit, në fakt fillon nga shkolla. Në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe fëmijët me nevoja të posaçme, që nga punimet që keni mundur t’i shihni, duket një punë shumë e mirë dhe ne në të gjitha aktivitetet tentojmë që t’i kyçim këta fëmijë”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Stina e pranverës do të zgjasë deri më 21 qershor, kur fillon stina e verës.
REJHANE BUSHI - METAJ
