Maqedoni
Analistët: fushata nisi para afatit të paraparë me ligj
21.03.2016 17:11
Nisja e fushatës parazgjedhore nga partitë politike, BDI, PDSh dhe VMRO-DPMNE më herët nga seç është parashikuar me ligj...

Nisja e fushatës parazgjedhore nga partitë politike, BDI, PDSh dhe VMRO-DPMNE më herët nga seç është parashikuar me ligj, bëhet me qëllim të inkurajimit dhe sensibilizimit më intensiv të anëtarësisë së partive në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara më pesë qershor.
Vlerësimi vjen nga analisti, Albert Musliu, dhe profesori universitar, Nano Ruzhin. Analisti Musliu nuk arsyeton nisjen para kohe të fushatës, por vlerëson vetëm hapin e BDI-së për të hapur platformën për qytetarët.
“Mendoj se është pak herët, fushatat zgjedhore te ne fillojnë 30 ditë para zgjedhjeve, ashtu që është një periudhë e çuar kot, por nga ana tjetër tendenca për krijimin e platformave sa më gjithëpërfshirëse me mendimin e qytetarëve është për t’u përshëndetur”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
Ndërkohë, profesori universitar, Nano Ruzhin, thotë se angazhimi i parakohshëm i partive, e në veçanti i VMRO-DPMNE-së, ka për qëllim që të lë nën hije bisedat e përgjuara. Kjo, sipas Ruzhin, bëhet pikërisht me dhënien e llogarisë përpara qytetarëve për projektet e realizuara.
“Fushatat e tilla, para së gjithash të VMRO-DPMNE-së, janë përgjigje nga një pozitë defanzive të cilën e kishte nga fillimi i publikimit të ‘bombave’ deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës, por edhe tani. Nga një pozicion i tillë kuptohet që çdo politikan këmbëngul që të mobilizojë opinionin publik, anëtarësinë dhe simpatizuesit dhe të prezantohet në zgjedhje me qëllim që të harrohen gjitha ato dobësi që i ngarkonin ata tanimë një vit nga publikimi i ‘bombave’ e deri më tani”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Sipas analistëve, krahas partive në pushtet, me aktivitete parazgjedhore nuk mbeten mbrapa as partitë opozitare, sikurse ishte takimi i liderit opozitar, Menduh Thaçi, me banorë të Kumanovës.
Thaçi u premtoi banorëve se me ardhjen në pushtet do të detyrojë parlamentin të sjellë ligj për amnistinë e të burgosurve. Sipas analistëve, aktivitetet e tilla me kalimin e kohës pritet të intensifikohen.
MERAL ISMAILI
