Maqedoni

Analistët: KShZ, para sfidave në pastrimin e regjistrit zgjedhor

21.03.2016 17:35

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, si trup i vetëm për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, si trup i vetëm për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, ka një obligim tejet të rëndësishëm para qytetarëve të vendit për sa i përket pastrimit të regjistrit zgjedhore, vlerëson eksperti juridik, Naser Zyberi.
 
Sipas tij, mungesa e unitetit midis anëtarëve, hapja e temave të panevojshme në këtë Komision, përfshi edhe ndikimet politike, mund të jenë pengesë në zbatimin e detyrimeve ligjore të KShZ-së.
 
“KShZ, në bazë të kompetencave ligjore, është organi më i thirrur për të vepruar në mënyrë autoritative dhe neutrale, dhe raporti i këtij Komisioni do të gjejë mbështetje ndërkombëtare, padyshim. Problemi qëndron këtu që partitë politike në çdo kohë mundohen që të bëjnë pengesa dhe opstrukcione në kryerjen e këtij obligimi, duke mos e furnizuar me kohë me të dhëna, pra KShZ-në, duke hapur tema të panevojshme me vetë debatet që udhëhiqen në KShZ, dhe në këtë mënyrë, duke e prolonguar dhe duke e shkurtuar kohën e nevojshme për pastrimin e tërësishëm të listës zgjedhore”- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.
 
Ndërkohë, eksperti juridik, Mersim Pollozhani, nxjerr në sipërfaqe një tjetër shqetësim.
 
Sipas vlerësimeve të tij, përveç numrit që publikoi KShZ ka edhe 60 deri në 70 mijë shtetas të tjerë të Maqedonisë që nuk ndodhen fare në regjistrin zgjedhor.
 
Kjo e bën edhe më të dyshimtë regjistrin zgjedhor, nënvizon Pollozhani.  
 
“60-65 mijë, që janë jashtë vendit, veç këtyre 124 mijë që thanë se janë të shpërngulur, bile përdorin kategorinë, mund të jenë të shpërngulur. Edhe aty ka një pasiguri dhe kjo edhe më tepër e shton dyshimin se cili është numri i votuesve, në radhë të parë i votuesve shqiptarë. Të gjithë këto shifra të pasqaruara në 70-80% kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë”- tha eksperti juridik, Mersim Pollozhani.
 
Zyberi dhe Pollozhani presin që faktori ndërkombëtar të jetë më aktiv në këtë drejtim, me qëllim që deri në afatin e paraparë regjistri zgjedhor të jetë në suaza të pritshmërisë, i besueshëm dhe kredibil për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.
 
NAIM RAMADANI