Bushati: Greqia, të abrogojë Ligjin e luftës
Athina zyrtare i kërkon Shqipërisë që t’u hapë dyert refugjatëve sirianë...

Gjatë vizitës dyditore që po zhvillon në Greqi, Bushati është takuar me krerët më të lartë të shtetit, ku është folur për një sërë çështjesh të mbetura peng, por duke u përqendruar kryesisht te kriza aktuale e refugjatëve.
Gjatë takimit dypalësh, presidenti grek Pavlopoulos i ka kërkuar Bushatit që Shqipëria mos t’i ketë fobi refugjatët, siç po ndodh me disa vende të tjera evropiane, por t’i pranojë ashtu siç Greqia i ka pranuar shqiptarët.
“Greqia po kërkon të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe kjo është provuar në shumë raste. Kjo është dëshmuar gjatë periudhës të Shqipërisë në NATO, por edhe bazuar në faktin që Greqia e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”- tha kreu i shtetit të Greqisë.
“Unë dua të theksoj tre gjëra për ju. Së pari, kërkojmë nga Shqipëria që të kontribuojë në trajtimin e problemit të refugjatëve, në të njëjtën mënyrë si Greqia u soll me emigrantët shqiptarë. Së dyti, të respektohen të drejtat e plota të njeriut sa i përket minoritarëve tanë në Shqipëri. Mos harroni se Greqia është sjellë mirë me bashkësinë shqiptare të vendosur këtu në Greqi. Kërkojmë dhe ne të njëjtën gjë bazuar në të drejtat ndërkombëtare të emigrantëve”- theksoi Pavlopoulos. (Luljeta Ndoka, TVM2)
