Obama për vizitë në Kubë, presidenti i parë që pas 88 vitesh viziton Havanën

21.03.2016 17:52

Presidenti amerikan, Barack Obama, së bashku me familjen e tij mbrëmë vonë arriti në Havanë për një vizitë dyditore...

Barack Obama është presidenti i parë pas 88 vitesh që viziton këtë ishull karaib, që është edhe një hap madhështor për përmirësimin e raporteve prej revolucionit të Fidel Castros, në vitin 1959, dhe konsiderohet të jetë vizitë historike.

“Ishin afro 90 vjet prej se presidenti amerikan zbriti në këmbë në Kubë. Është mrekulli të jesh këtu. Në vitin 1928, presidenti Coolidge arriti me luftanije dhe iu nevojitën tre ditë të arrijë këtu, ndërsa për mua ishin të nevojshme vetëm tre orë. Për të parën herë deri tash, aeroplani ‘Air Force One’ ka ateruar në Kubë dhe kjo është ndalja jonë e parë. Pra, kjo është vizitë historike dhe paraqet mundësi historike për angazhim direkt me popullin e Kubës dhe për të arritur raporte të reja dhe marrëdhënie komerciale dhe për të krijuar lidhje të reja ndërmjet dy popujve tanë. Në këtë mënyrë unë e paraqes vizionin tim se e ardhmja është më e ndritshme se e kaluara”- deklaroi presidenti i ShBA-së, Barack Obama.

Gjatë vizitës dyditëshe, Obama sot do të takohet me presidentin kuban, Raul Kastro, me të cilin temë kryesore do të kenë avancimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike, tregtare, si dhe reformat politike. Presidenti amerikan do të zhvillojë takim edhe me grupin e disidentëve politik, ndërkaq do të flasë në Teatrin Nacional në Havanë. Në agjendën e Obamës është parashikuar takimi me anëtarë të shoqërisë civile, sipërmarrësit dhe kubanë nga sferat e ndryshme të jetës.

Pas udhëtimit në Kubë, Obama do të udhëtojë për në Argjentinë, ku do të takohet me presidentin e Argjentinës, Mauricio Macri. (Gazmend Rexhepi, TVM2)