Maqedoni
LSDM:pse KShZ nuk i kontrollon 124 mijë votues?; VMRO-DPMNE: LSDM po kërkon alibi për shtyrjen e zgjedhjeve
21.03.2016 18:07
LSDM-ja insiston që KShZ të sqarojë se pse rreth 124 mijë votues nuk do të verifikohen në terren...

Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançevskit, në Listën zgjedhore ka 330.588 votues të dyshimtë.
“Kërkojmë që KShZ-ja të dalë në opinion dhe t’u sqarojë qytetarëve se cili është statusi i këtyre qytetarëve! Kërkojmë që KShZ-ja të na sqarojë se si do t’i verifikojë këto qytetarë! KShZ-ja është e obliguar që në opinion të prezantojë një linjë veprimi se si do të arrihet një listë e pastër zgjedhore! Kjo përbërje e KShZ-së nuk duhet të lejojë asnjë dyshim mbi listën e zgjedhësve”, - tha nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
Por sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM sërish po kërkon alibi për ikje nga zgjedhjet, për shtyrjen e zgjedhjeve ose për mosnjohjen e rezultateve.
Sipas VMRO-DPMNE-së, të gjithëve u janë të qarta gënjeshtrat e LSDM-së dhe trillimet dhe konstruksionet të cilat kjo parti vazhdimisht i bën, arsyetimet e zbrazëta dhe tentimet e LSDM-së sipas çdo çmimi që të sabotohet funksionimi i shtetit. Kësaj, siç theksohet në komunikatën e VMRO-së, fundi i vjen më 5 qershor.
"Nuk janë fantomë gjysmë milionë shtetas të Maqedonisë të cilët nuk e mbështesin politikën e destruksionit, manipulimin dhe fabrikimin e aferave të LSDM-së, aktiviteti i vetëm i kësaj partie me vite mbrapa. Nuk janë fantomë qytetarët të cilët nëntë cikle zgjedhore ia japin mbështetjen VMRO-DPMNE-së, e cila punon dhe realizon mijëra projekte reale në dobi të qytetarëve dhe të cilët dorëzojnë llogari dhe dënim për LSDM-në, sepse përveç skenarëve destruktiv, me të cilat mundohet të jetë në krizë të vazhdueshme, nuk ka çka tjetër të ofrojë para qytetarëve", - theksohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Ditë më parë, KShZ-ja miratoi raportin për kryqëzimin e të dhënave, sipas të cilit në terren do të kontrollohen 100 mijë e 436 votues nga 374 anketues, ndërsa në mënyrë administrative do të kontrollohen 98 mijë e 696 votues.
Nuk do të kontrollohen 124 mijë e 72 votues, që konsiderohet se aktualisht jetojnë jashtë vendit.
