Botë

Shpërthime në aeroport dhe metronë në Bruksel, 23 të vdekur dhe mbi 35 të plagosur

22.03.2016 09:59

Brukseli është tronditur mëngjesin e sotëm nga katër shpërthime, dy prej të cilëve kanë ndodhur në aeroportin “Zaventem”, ndërsa dy shpërthime tjera kanë ndodhur në stacione të metrosë...

Shkaqet e shpërthimeve ende nuk janë konfirmuar, por njoftohet për 23 të vdekur dhe 50 të plagosur. Pas shpërthimeve në aeroportin "Zaventem", ku u njoftua për 13 të vdekur, dy shpërthime tjetër kanë ndodhur në stacionet e metrosë në kryeqytetin belg, ku u njoftua për 10 të vdekur.
 
Dëshmitarët thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe. Po ashtu njoftohet se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer.
 
Komisioni Evropian i ka ftuar të punësuarit që për shkaqe sigurie të qëndrojnë në shtëpi, apo në vendet e punës ata që tanimë kanë arritur në punë.
 
Ngjarjet e sotme vijnë pesë ditë pasi shërbimet e sigurisë në Belgjikë, pas kërkimeve të gjata, e arrestuan Sallah Abdeslam, pjesëmarrësin e drejtpërdrejtë në sulmet terroriste në Paris, në nëntor të vitit të kaluar, kur jetën e humbën 130 persona.
 
Prokuroria Publike Federale belge të premten ngrit aktakuzë zyrtare kundër Saleh Abdeslam për lidhshmëri me sulmet në Paris në nëntor të vitit të kaluar.
 
Sipas mediave belge, në aktakuzë, Abdeslam ngarkohet për "vrasje për motive terroriste" dhe për "pjesëmarrje në grup terrorist", i cili i ka kryer sulmet në Paris më 13 nëntor të vitit 2015. Për veprat e njëjta akuzohet edhe bashkëpunëtori i Abdeslamit, Monur Ahmed Alaj, i njohur si Amir Shukri. 
 
Ndërkohë, policia belge në qytetin kufitar Vervie arrestoi 16 persona, të cilët dyshohen për lidhshmëri me celulat e organizatave terroriste, të cilat kanë planifikuar kryerjen e sulmit terrorist në Belgjikë.