Botë

Sulmi në Stamboll, Erdogan: Nuk dorëzohemi para terrorit

22.03.2016 12:37

Presidenti, Rexhep Taip Erdogan, tha në daljen e tij të parë publike që pas sulmit në Stamboll, se Turqia nuk do të dorëzohet para militantëve...

Më shumë se 200 mijë pjesëtarë të policisë janë në detyrë në qytetet kryesore turke, disa prej të cilëve kanë ngritur edhe pika kontrolli.
 
“Ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë para axhendës së terrorit. Do t’i mundim organizatat terroriste dhe fuqitë që qëndrojnë pas tyre, duke u mbështetur tek uniteti i vendit tonë”- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Sulmi në lagjen më popullore tregtare të Stambollit është i katërti sulm i tillë në Turqi këtë vit dhe i dyti për të cilin dyshohen ekstremistët islamikë. 
 
Turqia gjykon se rebelimi kurd është intensifikuar pas avancimeve territoriale të milicive kurde në Sirinë veriore. 
 
Katër persona mbetën të vrarë të shtunën, tre izraelitë dhe një iranian. 
 
Në janar, një kamikaz hodhi veten në erë në zemrën historike të qytetit, duke i marrë jetën 12 turistëve gjermanë.
 
Një degëzim i partisë së punëtorëve të kurdistanit, PKK, mori përgjegjësinë për dy sulmet me autobomba në kryeqytetin Ankara, ku mbetën të vdekur 66 persona.
 
Turqia po lufton si kundër grupit “Shteti Islamik” në Sirinë fqinje, ashtu edhe kundër militantëve kurdë në juglindjen e saj. Vala e sulmeve me bomba që i ka marrë jetën më shumë se 80 personave, ka ngritur pikëpyetje për aftësinë e vendit për të mbrojtur veten.
 
GAZMEND KURTISHI