Botë
Terror në zemër të Evropës, ISIS merr përgjegjësinë për sulmet
22.03.2016 13:58
Zemra e Evropës është tronditur nga terrori. Në orën 08:00 të mëngjesit të së martës ndodhën dy shpërthime në terminalin e aeroportit të Brukselit, në “Zavantem”, që lanë pas 14 viktima...

90 minuta më pas, një tjetër shpërthim u dëgjua në Mulenbeg, në një stacion metroje pranë selisë qendrore të Bashkimit Evropian, nga i cili raportohen 20 të vdekur.
Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann. Ka kaluar 100, ndërkohë, shifra e të lënduarve në sulmet. Aeroporti është evakuuar, fluturimet janë anuluar, janë pezulluar qarkullimet e mjeteve publike, trenat, metrotë dhe tramvajet. Belgjika ka ngritur nivelin e alarmit në maksimum. Rrugët e qytetit patrullohen nga forca të shumta speciale të policisë, përfshirë këtu edhe ushtrinë. Sipas mediave vendase, në aeroport, para se të dëgjoheshin dy shpërthimet e fuqishme u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe disa thirrje në arabisht. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer.
“Dëgjova dy shpërthime. Njerëzit nuk dinin çfarë të bënin, ku të shkonin. Policia dhe ushtria filluan të na shtynin drejt daljeve. Ishte tmerr i vërtetë”- u shpreh një qytetar.
“Isha duke bërë çekingun e biletës dhe papritmas u dëgjua një zhurmë e tmerrshme. E vetmja gjë që mund të bëja ishte të vrapoja. Nuk ishim në gjendje t’u ndihmonim të tjerëve, secili mendonte të shpëtonte kokën. Ishte kaos i vërtetë”- tha një qytetar.
“Kemi kolegë të lënduar, i dërguan në spital, aeroporti i evakuua menjëherë”- theksoi një punonjës në aeroport.
“Unë fillova të vrapoj, të gjithë vraponin. Por, kjo në fakt ishte gjë që pritej. Në këtë vend ka pasur ushtri dhe polici të shtuar tanimë tre muaj, e dinim që aeroporti mund të ishte një cak sulmi”- tha një punonjës i aeroportit.
Në metronë në Mulenbeg, nga shpërthimi janë ngritur re të zeza tymi dhe një panik i përgjithshëm ka përfshirë kalimtarët, e njëjta situatë ishte edhe në stacionin “Shuman”.
Një tjetër bombë e pashpërthyer është gjetur pranë pallatit mbretëror. Ajo është shpërthyer më pas në një aksion të komanduar nga policia belge.
“Ajo që i trembeshim ndodhi. Kjo është një ditë e zezë për të gjithë vendin tonë”, deklaroi në një konferencë për shtyp kryeministri belg, Charles Michel. Ai tha se prioritet i autoriteteve në këto momente është shmangia e sulmeve të tjera të mundshme dhe kujdesi për të plagosurit.
“Po përpiqemi të stabilizojmë situatën, por shqetësimi nuk ka përfunduar. Prioritet kemi trajtimin e të plagosurve në këto atentate, i kemi transportuar drejt spitaleve të ndryshme. Ka një numër viktimash dhe të plagosurish. E kemi çuar nivelin e sigurisë në nivelin katër, po marrim masa shtesë sigurie. Kemi përforcuar sigurinë në kufij dhe kontrollet në transportin publik. Është një ditë e zezë për vendin tonë deri në këto momente, është një tragjedi”- deklaroi kryeministri i Belgjikës, Charles Michel.
Michel apeloi qytetarët për qetësi dhe solidaritet. Në krah të kryeministrit qëndronte prokurori i përgjithshëm i Belgjikës, i cili tha se është herët për të folur për autorësinë e ngjarjes apo numrin e autorëve të saj.
“Shteti Islamik” ka marrë tashmë përgjegjësinë për sulmet. Deklarata e grupit terrorist është publikuar nga Agjencia e lajmeve e IS-¬it, News Amaq. “Bastisja e Brukselit”. “Sulm në Bruksel. E mrekullueshme”, “Digjet Brukseli”, këto janë fjalët më të përdorura në rrjetet sociale nga xhihadistët. E kjo vërteton se sulmet e sotme janë shpagim për arrestimin e super të kërkuarit për sulmet e Parisit, Salah Abdeslam.
Sulmet në zemër të Evropës kanë vënë në lëvizje vendet e tjera që kanë shtuar kontrollet nëpër aeroporte, metro dhe stacione autobusësh. Në Britaninë e Madhe autoritetet kanë rritur nivelin e sigurisë në aeroportet “Gatwick” dhe “Heathrow”. Gjithashtu, Ministria e Jashtme ka lajmëruar shtetasit britanikë që të shmangin zonat e populluara në qytetet belge.
Autoritetet franceze kanë marrë masa të ashpra, duke vënë 1600 policinë në pikat strategjike në të cilat gjithashtu janë dërguar forcat ushtarake. Po mbrohen aeroportet, metrotë dhe stacionet e mëdha të autobusëve.
Gjithsesi, në Francë të gjitha metrotë janë mbyllur, avionët kanë devijuar lëvizjen e tyre, gjithashtu janë mbyllur të gjithë muzetë. Në aeroportin “Fiumicino” të Romës, niveli i rrezikut është rritur në maksimum.
E njëjta situatë është edhe në aeroportin tjetër “Leonardo da Vinci”, ku masat e sigurisë ishin rritur që prej sulmeve terroriste në Paris. Gjithashtu, autoritetet kanë anuluar shtatë fluturimet për në Bruksel, të parashikuara për sot.
MIGENA GORENCA
