Maqedoni

KShZ: Nga fundi i javës fillon kontrolli në terren

22.03.2016 15:37

Në kuadër të pastrimit të regjistrit zgjedhor, Komisioni Shtetëror Zgjedhor që nga fundi i javës për 10 deri në 14 ditë...

Në kuadër të pastrimit të regjistrit zgjedhor, Komisioni Shtetëror Zgjedhor që nga fundi i javës për 10 deri në 14 ditë rresht do të fillojë kontrollin në terren të 100 mijë e 436 indikacioneve, të cilat i nxori kontrolli paraprak i kryqëzuar.
 
Kontrollin në terren do ta realizojnë 374 anketues të autorizuar në gjuhën të cilën e flet shumica në atë vendbanim, duke u bazuar në pyetësorin të cilin në parim e ka miratuar KShZ. 
 
“Presim që kontrollet në terren të fillojnë nga fundi i javës dhe në këto kontrolle do të përfshihen gjithsej 100 e 436 përshkrime. Kontrollimin në terren do ta realizojnë gjithsej 374 anketues të autorizuar. Kontrollues të këtij procesi janë udhëheqësit e njësive rajonale të KShZ-së. Ata do të marrin listë të personave të cilët do të jenë lëndë e kontrollit në terren, ku do të potencohen arsyet e kontrollimit”- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
 
Për të zbatuar me sukses kontrollin në terren, KShZ paralajmëroi edhe një fushatë mediale me moton “Dyer të hapura”, ndërsa ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë drejtim në favor të krijimit të një regjistri të besueshëm dhe kredibil. 
 
“Porositë që duam t’i dërgojmë nëpërmjet kësaj fushate janë që tani është koha që edhe qytetarët  të ndihmojnë që të krijohet listë zgjedhore e besueshme. Me pak kohë që do të ndani bashkë, do të ndërtojmë listë zgjedhore në të cilën të gjithë do të kemi besim”- tha Admir Shabani nga KShZ.
 
Kontrolli në terren do të zbatohet prej orës 8:30 deri në orën 19:00, ndërsa secili nga anketuesit e autorizuar do të duhet të jetë i pajisur me kartë identifikimi.
 
Bisedat anketuesi duhet t’i zhvillojë drejtpërdrejt me personin që është lëndë e kontrollit, ndërsa nëse dikush nga ata nuk ndodhet në shtëpi më shumë se dy herë nga vajtja e anketuesit, anketuesi është i obliguar që ta njoftojë atë me shkrim për t’u paraqitur në njësinë rajonale të KShZ-së në afat prej tre ditësh.
 
Ndryshe, kontrollin në terren si dhe në procesin e përpunimit të të dhënave dhe shpalljes së rezultateve në mënyrë pasive do të kenë mundësi ta vëzhgojnë edhe përfaqësues të katër partive më të mëdha, njofton KShZ.  
 
NAIM RAMADANI