Marrëveshja midis komunës së Bogovinës dhe Ministrisë së Ekologjisë zgjidhë problemin e ujit në Pirok dhe Sedllarcë
Marrëveshja e nënshkruar në mes kryetarit të komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, dhe ministrit të Ekologjisë, Nuran Izairi...

Marrëveshja e nënshkruar në mes kryetarit të komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, dhe ministrit të Ekologjisë, Nuran Izairi, sot në ambientet e komunës përfundimisht do të zgjidhë problemin e disa fshatrave të kësaj komune sa i përket rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit, edhe atë rregullimin e kolektorit në fsh.Pirok dhe rikonstruimin e rezervuarit të ujësjellësit të fsh.Sedllarcë.
Me këtë rast kryetari i komunës së Bogovinës u shpreh se kjo marrëveshje e nënshkruar sot dëshmon se bashkëpunojnë me çdo institucion shtetëror.
“Me këtë ne dëshmojmë se vazhdon bashkëpunimi i komunës sonë si institucion me të gjitha organet shtetërore, gjegjësisht dikasteret qeveritare dhe agjencitë e ndryshme. Do të bëhen dy investime kapitale në sferën e infrastrukturës, gjegjësisht në riparimin e rezervarit të ujit të pijshëm në fshatin Sedëllarc dhe do vazhdojmë në fillimin e punëve në pastrimin e ujërave të zeza. Kemi kushte dhe parakushte të aspektit teknik të vendbanimit të Pirokut dhe do fillohet me kanalizimin fekal, gjegjësisht me pastrimin e ujërave të zeza”- deklaroi kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi.
Përndryshe, ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, theksoi se këta dy projekte janë shumë të rëndësishme për banorët e këtyre vendbanimeve.
“Në komunën e Bogovinës bëmë nënshkrimin e marrëveshjes për financim të dy projekteve, të dy projekteve shumë me rëndësi për qytetarët e komunës së Bogovinës, në veçanti me rëndësi është për qytetarët e fshatit Sedëllarc, sepse ne me këtë nënshkrim të kësaj marrëveshje do të bëjmë financimin e rikonstruimit dhe rindërtimit të rezervuarit për ujë të pijshëm. Projekti i dytë është shumë me rëndësi për qytetarët e fshatit Pirok, ku ne do bëjmë financimin e kolektorit kryesor prej fshatit deri në rrugën e autostradës, ku aty parashihet kolektori bartës deri tek stacioni për trajtimin e ujërave të zeza”- tha ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
Tani një kohë të gjatë Ministria e Ekologjisë është e angazhuar që në çdo vendbanim të ndihmojë në bashkëpunim me komunat, të zgjedhë problemet e ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm. (Visar Sadiki, TVM2)
