Maqedoni
Në Maqedoni shënohet Dita Botërore e Ujit, 3.6 milion njerëz në botë vdesin nga mungesa e ujit
22.03.2016 16:10
Në Maqedoni për të shtatën herë shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila ka për qëllim të rrisë vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e përdorimit të ujit, kursimit të ujit dhe ruajtjes së resurseve të tij...
Ndërsa nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se institucionet kompetente vazhdimisht ndjekin situatën me cilësinë e ujit për pije.
Rreth 37% e popullatës së Maqedonisë jetojnë në vendbanime rurale dhe vetëm 27% e popullatës është e përfshirë në sistemet e ujësjellësit.
Ndërsa rreth 62 për qind e banorëve që banojnë në zonat rurale furnizohen me ujë nga ujësjellës të vegjël dhe rreth 4% nga popullata rurale varet nga puset, pompat, çezmat publike etj.
“Në mjediset rurale, ku kemi rreth 700 mijë banorë, një pjesë e tyre, rreth 30%, janë të përfshirë në sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe 60% janë në sistemet lokale te të cilat nuk kemi shpesh një kompani që kujdeset për sigurinë e ujit, që nënkupton ujë të kloruar. Në këto mjedise ndodhë që uji të mos i plotësojë kriteret e sigurisë”- tha Gordana Ristovska nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mbi 3.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje të shkaktuara nga uji, çdo ditë në botë vdesin nga 38 punëtorë nga sëmundje të shkaktuara nga uji, mbi 1/3 e shkollave në shtetet në zhvillim nuk kanë qasje të uji për pije dhe higjienë.
REJHANE BUSHI-METAJ
