Gjorçev pezullon debatin për raportin e PPS-së; Janeva: Nuk do marr pjesë, Raporti i ka të gjitha

22.03.2016 16:27

Kryetari i Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Vlladko Gjorçev, për herë të dytë pezulloi seancën ku duhej të shqyrtohej Raporti gjashtëmujor i PPS-së...

Arsyeja për pezullimin e seancës, ashtu si herën e parë, ishte mungesa e prokurores speciale, Katica Janeva, e cila, sipas Gjorçevit, është ftuar në formë të rregullt. Ai refuzon të hap debatin mbi Raportin, pasi vlerëson se pjesëmarrja e Janevës është e obligueshme, edhe pse një gjë e tillë nuk qëndron në ligj.

“Në asnjë ligj nuk është shënuar, si për nxënës të klasës së parë, obligimi që të jenë prezent në Kuvend të gjithë këta dhe shumë funksionarë të tjerë publik, por askush deri më tani nuk është përpjekur që të shkel Kushtetutën e RM-së. Të gjithë të ftuarit vijnë dhe përgjigjen për punën e tyre para Kuvendit të RM-së, si institucioni më i lartë në shtet.”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Gjorçev.

Mirëpo, opozita vlerëson se arsyeja e pezullimit të seancës nuk është mungesa e Janevës, por VMRO-DPMNE shfrytëzon mungesën e Janevës si alibi për të mos hapur debat mbi raportin e PPS-së, ku sipas LSDM-së zbardhet krimi i pushtetit. 

“Të gjithë e kemi të qartë se VMRO-DPMNE, nga frika e përgjegjësisë për krim, i ik debatit mbi Raportin e znj. Katica Janeva, por edhe mbi Raportin e z. Marko Zvërlevski. Gjatë bisedimeve për Ligjin për PPS-në, LSDM kërkonte që PPS-ja të dorëzojë raport në afat më të shkurtër, ndërsa pala tjetër në bisedime kërkonte që afati të jetë në gjashtë muaj. Atëherë supozohej se më 15 mars Kuvendi do të shpërbëhej dhe VMRO-DPMNE shpresonte se Raporti i PPS-së nuk do të dilte para deputetëve.”- tha deputetja e LSDM-së, Renata Deskoska.

Nga ana tjetër PPS, Katica Janeva, është decide në qëndrimin e saj. Nuk do t’i përgjigjem ftesës për të sqaruar Raportin, pasi ai i ka të gjitha, thotë Janeva. Ajo ftoi Kuvendin dhe Këshillin e Prokurorëve që vërejtjet mbi Raportin t’ia dorëzojnë në formë të shkruar.

“Sa i përket ftesës së Këshillit të Prokurorëve Publik dhe asaj të Kuvendit të RM-së që të sqaroj Raportin tim, e them publikisht se nuk kam në plan të shkoj për shkak se mendoj që Raporti është i vogël dhe përfshin një periudhë të shkurtër. Nuk kam nevojë të sqaroj diçka, në veçanti pasi ai përmban gjithë çfarë duhet.”- theksoi prokurorja e PPS-së, Katica Janeva.

Qëndrimi i prerë i Janevës se nuk do t’i përgjigjet ftesës dhe qëndrimi i prerë i kreut të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive se nuk hap debat mbi Raportin pa pjesëmarrjen e prokurores speciale, lë të kuptohet se debat mbi Raportin nuk do të ketë as në vazhdimin e radhës të seancës, të caktuar për të mërkurën. (Shpëtim Nuredini, TVM2)