Terrori në Bruksel, liderët botërorë dënojnë sulmin

22.03.2016 16:56

Dhimbjen me popullin belg e ndajnë edhe liderët nga e gjithë bota. Sulmi tronditës në Bruksel ka bërë që politikanët dhe autoritetet nga e gjithë bota të reagojnë, duke dënuar këtë akt terrorist si një sulm kundër të gjithë njerëzimit...

Shefja e politikës së jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini, gjatë vizitës në Aman të Jordanisë nuk ka mundur t’i mbajë lotët derisa ka dënuar sulmet në Bruksel. Ajo bëri thirrje që të parandalohet radikalizmi.

“Është një ditë shumë e trishtuar për Evropën. Evropa dhe kryeqyteti i saj po vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon ka njohur dhe njeh çdo ditë të vetme, qoftë në Siri, qoftë diku tjetër. Ne ende jemi duke pritur për lajme më të sakta në dinamikën e sulmeve në Bruksel, por është mjaft e qartë se rrënjët e dhimbjes që vuajmë ne janë shumë të ngjashme me tuajat. Ne jemi të bashkuar jo vetëm në vuajtjet e viktimave tona, por edhe reagojmë ndaj këtij akti dhe bëjmë thirrje për të parandaluar radikalizmit dhe dhunën së bashku.”- deklaroi shefi i politikës së jashtme, Federica Mogerini.

Edhe kryetari i Komisionit Evropian, Donald Tusk, ka shprehur keqardhje dhe ngushëllime për familjet e viktimave dhe në emër të BE-së shprehu mbështetje për autoritetet belge.

“Këto sulme shënuan edhe një akt të ulët nga ana e terroristëve në shërbim të urrejtjes dhe dhunës. Institucionet evropiane janë të vendosura në Bruksel falë zemërgjerësisë së Qeverisë belge dhe popullit të saj. BE¬-ja e kthen këtë solidaritet tani dhe do ta përmbushë rolin e vet për të ndihmuar Brukselin, Belgjikën dhe Evropën në tërësi kundër kërcënimit nga terrorizmi, me të cilin po përballet.”- thuhet në reagimin e kryetarit të Komisionit Evropian, Donald Tusk.                                                                               

Me atentatet e sotme në mëngjes në Bruksel “është goditur e gjithë Evropa”. Është ky komenti i parë i presidentit francez, Fransua Hollande, pas shpërthimeve në aeroport dhe në metronë e qytetit belg.

“Kjo sprovë në Bruksel vjen pas plagosjes serioze të Parisit në janar dhe në nëntor. Sot jemi përpara një kërcënimi global dhe kjo kërkon përpjekje globale. Lufta kundër terrorizmit duhet të përballohet nga e gjithë Evropa, në të gjitha mënyrat që duhen. Ne do të mbikëqyrim me vëmendje të gjitha vendimet dhe duhet të reagojmë në bazë të një plani ndërkombëtar, në Lindjen e Mesme, në Siri, në Afrikë. Të gjithë vendet duhet të përfshihen në këtë plan ndërkombëtar”- u shpreh presidenti i Francës, Francua Hollande.

Kryeministri britanik, David Cameron, u shpreh i tronditur nga ngjarja në Belgjikë dhe përmes profilit të tij në Twitter njoftoi se në orët në vazhdim do të kryesojë një mbledhje të COBRA-s, i cili është Këshilli më i lartë i sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu edhe kryeministri turk, Ahmet Davutogllu, i dënoi sulmet e sotme në kryeqytetin belg dhe kërkoi bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit.        

“Sot terrori tregoi fytyrën e tij të fëlliqur. I dënoj ashpër sulmet terroriste që goditën Brukselin dhe u shpreh ngushllimet e mia autoriteteve të Belgjikës dhe popullit belg. Javën e  kaluar ishim në Bruksel dhe sot jemi këtu dhe u bëjmë thirrje që të jemi bashkë kundër terrorizmit global dhe kundër çdo lloj terrori”- theksoi kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutogllu.

Në lidhje me sulmin kanë reaguar edhe liderët tjerë botërorë.

“Ngushëllimet e mia për familjet dhe viktimat, dhe solidaritet me popullin belg, pasi kur terrori godet, na godet të gjithëve.”- është shprehur kryeministri spanjoll, Marian Rajoy.

“Belgjika është goditur sërish nga sulmet frikacake dhe vrasëse. Ngushëllimet tona për viktimat dhe familjet e tyre dhe Holanda është gati për fqinjët e saj jugorë, në çdo mënyrë, dhe duke ofruar ndihmë.”- ka thënë kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

“Greqia është solidare me qytetarët e Belgjikës dhe BE-së. Ne nuk lejojmë që frika, urrejtja fetare dhe racizmi të mbizotërojë në Evropë.”- është shprehur kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras. (Ersan Pajaziti, TVM2)