Maqedoni

Janeva: dëshmitë e “Titanikut” shpallin jolegjitim presidentin, kuvendin dhe kushtetuesen

22.03.2016 17:36

Presidenti, Gjykata Kushtetuese dhe deputetët janë jolegjitim të emëruar nga zgjedhje jolegjitime...

Vlerësimi vjen nga prokurorja speciale, Katica Janeva, në konferencën e sotme, ku bëhej fjalë për korrupsionin në vend, ndërkaq mysafire ishte edhe prokurorja speciale e Rumanisë.
 
Janeva vlerësimin e tillë e dha duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që i mundëson presidentit të amnistojë personat e akuzuar për krime zgjedhore.
 
Janeva paralajmëroi zgjerim të të dyshuarve për rastin “Titanik” dhe nisje të betejës së vërtetë me gjykatat.
 
“Me 80% të të dhënave me të cilat disponojmë vërtetohet padia. Konsiderojmë se vetë zgjedhja e kryetarit, edhe të gjykatësve kushtetues edhe të deputetëve, vihet në pikëpyetje. Kjo është përgjigja ime për Gjykatën Kushtetuese. Mendoj se të gjitha këto institucione janë jolegjitime dhe do të duhet të respektojnë Prokurorinë Speciale në hetimet që bënë për të vërtetuar të vërtetën”- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Janeva akuzoi edhe prokurorin publik, Marko Zvërlevskin, i cili ishte i pranishëm në konferencë për obstruksione.
 
Janeva tha se Prokuroria e Zvërlevskit nuk bashkëpunon për rastin “Magjar Telekom”, duke mos ia dorëzuar dëshmitë me të cilat disponon. Zvërlevski si kompetente për lëndën u thirr në prokurorinë që drejton.
 
“Lënda është në procedurë. Me të gjitha dëshmitë ne kemi ngritur padi. Padia është në fuqi dhe nuk bëhet fjalë për lëndë të vjetruar”- tha prokurori special, Marko Zvërlevski.
 
Prokuroja rumune tha se gjatë punës së saj në luftimin e korrupsionit në mesin e politikanëve ballafaqohen me pengesa nga institucionet, por është ligji i cili parashikon ndëshkime në rast të refuzimit të bashkëpunimit.
 
“Ndonjëherë kemi edhe probleme. Institucionet refuzojnë të na japin dokumente të caktuara. Por, kemi ligj ndëshkues, i cili vjen në shprehje për t’i siguruar materialet nga institucionet”- theksoi prokurorja speciale rumune, Laura Kovesi.
 
Prokurorja Kovesi tha se vetëm vitin e shkuar Prokuroria që udhëheq ajo ka kërkuar konfiskim të gjysmë miliardë euro nga zyrtarë të korruptuar, ndërkaq me paditë e tyre kanë kthyer 200 milionë euro në buxhet, para këto që janë fituar me korrupsion. 
 
MERAL ISMAILI