Maqedoni
Thaçi takon ambasadorët e BE-së, skeptik për zgjedhje më 5 qershor, nuk ka vullnet
22.03.2016 17:40
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, është skeptik se lista zgjedhore do të mund të pastrohet deri më 7 prill...

Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, është skeptik se lista zgjedhore do të mund të pastrohet deri më 7 prill, për të mundësuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve demokratike e të pranueshme nga të gjithë më 5 qershor.
Sipas tij, në KShZ dhe institucionet e tjera që duhet të kontribuojnë në pastrimin e listës zgjedhore, ka një rrëmujë të vërtetë për momentin.
“Është shkaktuar një tollovi aq e madhe, sa nuk dihet se çfarë është duke ndodhur. Kjo flet për një mungesë të një vullneti politik të forcave kryesore politike që përbëjnë qeverinë dhe të institucioneve të shtetit për ta pastruar si duhet listën. Vazhdoj ta përsëris se regjistrimi i plotë dhe i saktë i popullsisë do të mundësonte një listë zgjedhore të saktë dhe të plotë”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Por, Thaçi thotë se problem nuk është vetëm lista zgjedhore, pasi edhe nëse arrihet ndonjë farë pastrimi, sërish partitë në pushtet do të vazhdojnë me avazin e vjetër të mbushjes së kutive ditën e zgjedhjeve.
“Tek ne shqiptarët problemi është se ‘ai’ i mbush kutitë me lopatë, pra nuk është ndonjë manipulim i sofistikuar. Është problem lista zgjedhore, është problem klima, loja tekanjoze, keqpërdorimi i administratës që u dërgohen mesazhe dhe joshen me para etj”- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi është skeptik se gjërat do të ndryshojnë pasi, sipas tij, partitë e kanë mendjen vetëm për t’u grindur, e jo për t’i gjetur zgjidhje problemeve.
Me qëndrimet e tij kreu i PDSh-së ka njoftuar sot në takimin e punës edhe ambasadorët e BE-së të akredituar në vend.
BELINDA KOKA-ADEMI
