Tensione në Idomeni, dy sirianë tentuan të vetëdigjen
Rriten tensionet në Idomeni, në pikën kufitare mes Greqisë dhe Maqedonisë...

Rreth 300 emigrantë burra, gra dhe fëmijë nisën ditën e dytë të protestës.
Për shkak të mbylljes së rutës ballkanike dhe situatës shumë të vështirë në të cilën gjenden refugjatët, gjatë ditës së sotme dy sirianë në shenjë proteste në Idomeni kanë tentuar të vetëdigjen, njoftojnë autoritetet greke.
Ata menjëherë janë transferuar në spitalet greke dhe nuk ka njoftim zyrtar për situatën shëndetësore të tyre.
Përfaqësues të UNHCR-së kanë njoftuar se është e mundur që edhe në ditët në vazhdim të ketë tentime të këtilla, sepse njerëzit janë tejet të mllefosur me mbylljen e kufijve.
Në kampin e improvizuar në fushat me baltë në Indomeni qëndrojnë mbi 12 mijë emigrantë, të cilët me javë të tëra po jetojnë në kushte të mjerueshme.
Organizatat humanitare thonë se më shumë se 40% e të strehuarve në këtë kamp janë fëmijë.
Një grup më i madh i emigrantëve protestuan në binarët e trenit dhe paralajmërojnë grevë urie për të alarmuar për situatën e vështirë në të cilën gjenden.
Kushtet në kampin e strehimit në Idomeni janë tejet të vështira, edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të OJQ-ve për t’ju dalë në ndihmë emigrantëve me produkte ushqimore, veshmbathje dhe medikamente mjekësore.
Balta e shkaktuar ditë më parë nga reshjet e shiut gradualisht po zhduket, por temperaturat e larta dhe rrezet e diellit shkaktojnë sfida të tjera të vështira për shëndetin e tyre.
