Maqedoni

Ivanov: shtetet evropiane, më aktive ndaj kërcënimeve

22.03.2016 18:25

Presidenti, Gjorge Ivanov, u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të Evropës të jenë sa më proaktive dhe një hap para ndaj të gjitha kërcënimeve të cilat mund të vijnë...

Sipas kreut të shtetit,  kërcënimet dhe sulmet terroriste nuk janë shqetësim vetëm për Evropën, por për gjithë globin, prandaj duhet të ekzistojë bashkëpunimi mes shërbimeve të shteteve të BE-së dhe kontinentit në përgjithësi, sepse vetëm në këtë mënyrë nuk bëhemi robër të procedurave burokratike.
 
Ivanov ka shtuar se mungesa e lidhshmërisë ka kontribuuar që në mesin e emigrantëve që kanë kaluar nëpër territorin e Maqedonisë të ketë persona të cilët kanë qenë në betejat e Sirisë.
    
“Vetëm në Maqedoni, 72 persona evidentohen si të kthyer, që kanë marrë pjesë në beteja në Siri. Ka një shifër prej 3000 të kthyerve në territorin e BE-së. Ata i kanë përdorur këto rrugë të refugjatëve."- ka deklaruar  Ivanov.  
 
Kreu i shtetit ka thënë se përveç aspektit humanitar të krizës, duhet vëmendje të veçantë t’i kushtohet edhe aspektit të sigurisë, megjithatë institucionet kompetente në vend janë ballafaquar mirë me valën e refugjatëve, andaj qytetarët nuk e kanë ndier se nëpër territorin e Maqedonisë në muajt e fundit kanë kaluar më shumë se një milionë refugjatë dhe emigrantë.