Botë

Kërcënime terroriste në mbarë botën, alarm për bombë në Francë, Greqi, Itali dhe ShBA

23.03.2016 12:24

Aeroporti i Tulusës në Francë është evakuuar për arsye sigurie mëngjesin e sotëm rreth orës 06: 45 minuta...

Pasagjerët u këshilluan të prisnin jashtë ambienteve të sallës së pritjes, madje janë zbritur nga avionët edhe personat që ishin gati për t’u nisur.
 
Më vonë aeroporti, përmes një deklarate, informoi se terminalet e tij ishin hapur dhe se trafiku ajror do të vijonte normalisht. Patrulla të policisë dhe ushtria kanë zbarkuar në aeroport.
 
Masat e larta të sigurisë vijnë një ditë pas sulmeve në Bruksel. Edhe mediat në Greqi deklarojnë se kishte një alarm për bombë në aeroportin ndërkombëtar në Athinë. Një tjetër alarm bombe ka shkaktuar panik paraditen e sotme në aeroportin e “Fiumicinos” në Romë.
 
Një çantë e braktisur në një nga daljet e aeroportit është sinjalizuar nga pasagjerët. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e zjarrfikësve si dhe e forcave të rendit, të cilët kanë stimuluar shpërthimin artificial të saj. Është vërtetuar se çanta e braktisur ishte veçse një objekt i harruar nga pasagjerët brenda së cilës gjendeshin veshje personale. Është ky alarmi i dytë fals në aeroportin e Fiumicinos, pas atentateve të Brukselit. 
 
Sulmet terroriste në Bruksel kanë alarmuar edhe ShBA-¬të. Aeroporti i “Denverit” në Kolorado është evakuuar thuajse plotësisht pas sinjalit për një pako të dyshimtë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e sigurisë dhe kanë bërë të mundur evakuimin. Mirëpo duket se ishte më shumë një alarm i rremë, pasi në atë pako nuk kishte asgjë kërcënuese.
 
BELINDA KOKA-ADEMI