Botë
Belgjika në zi kombëtare, ende në kërkim Najim Laachrauoi
23.03.2016 12:28
Najim Laachrauoi është personi më I kërkuar tashmë në Europë. Ai dyshohet se qëndron pas sulmeve të djeshme terroriste në Bruksel. Mëngjesin e sotëm mediat lajmëriuan se ai u arrestua në Anderlect por policia më vonë përgënjeshtroi lajmin...

Najim Laachrauoi, 24 vjeçari xhihadist, është pjesë e grupit të sulmeve të 13 Nëntorit të 2015 në Paris. Mediat belge thonë se 24-vjeçari është rritur në Bruksel në lagjen Schaerbeek dhe ishte shumë I njohur për policinë. Ai besohet se ka udhëtuar në Siri në 2013 dhe mendohet se është një ndër njerëzit kyç për rekrutimin e të rinjve për xhihad në Bruksel.
Në 2014 ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar, por mesa duket kjo nuk e ndaloi të kthehej në Belgjikë. Që prej dhjetorit policia ishte në kërkim të Soufian Kayal, emri me të cilin njihej Laachrauoi.
Televizioni shtetëror RTBF thotë se ai mund të jetë një nga prodhuesit e bombave që u përdorën në sulmet e Parisit . ADN-ja e tij ishte gjetur në shtëpitë e përdorura nga atentatorët e Parisit vitin e kaluar, kanë thënë prokurorët, shkruan The Guardian. Ai ka udhëtuar drejt Hungarisë në shtator me të dyshuarin kryesor të atentateve të Parisit, Salah Abdeslam.
Janë identifikuar ndërkohë dje dy kamikazët që hodhën veten në erë . Vëllezërit Khalid dhe Brahim El Bakraoui të moshës 27 dhe 30 vjeç, ishin të njohur për policinë dhe kishte precedentë penalë. Në tetor të 2010 Ibrahimi u dënua nga gjykata penale e Brukselit për sulm me kallashnikov ndaj policisë.
Bëhet fjalë për ngjarjet të 30 janarit të po atij viti në bulevardin Adolphe Max në Bruksel dhe në rrugën Vautier në Laeken. Së bashku me një bashkëpunëtor, Ibrahim ishte duke kryer një grabitje në një pikë këmbimi valuator. Ibrahimi ishte në rolin e pritësit, qëndroi në makinë. Pas kryerjes së grabitjes ata u larguan me makinë.
Policia u vu në ndjekje të tyre, por Ibrahim El Bakraoui gjuajti me breshëri kallashnikovi ndaj policisë, duke plagosur një prej oficerëve.
Ibrahimi u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg. Në shkurt të vitit 2011, është vëllai tjetër Khalid El Bakraoui i cili e gjen veten në burg.
Nga tre shpërthimet, 2 në aeroport dhe tjetri në metro, humbën jetën 31 persona dhe mbi 200 mbetën të plagosur. Belgjika ka shpallur tre ditë zije kombëtare.
LEUNORA KALLIQI
