Botë
Migrantët, Tahiri: Kemi plan emergjence, por kapacitete të limituara
23.03.2016 14:32
Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri, gjatë raportimit përpara Komisionit të Sigurisë në lidhje me situatën e emigrantëve...

Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri, gjatë raportimit përpara Komisionit të Sigurisë në lidhje me situatën e emigrantëve ka deklaruar se Shqipëria ka një plan emergjence për të pritur emigrantët, por ka kapacitete të limituara. Ministri Tahiri ka theksuar gjithashtu se nga ana e partnerëve ndërkombëtarë është marrë garanci se Shqipëria nuk do të jetë vetëm.
“Po përpiqemi të adresojmë dy çështje. Nga njëra anë t’i përgjigjemi sfidës për solidaritet dhe nga ana tjetër të mbajmë sigurinë në mënyrë që elementet terroriste mos të futen në vendin tonë dhe të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Tani për tani nuk ka sinjale që jemi përpara një situate emergjente, por për sa kohë janë afër me kufirin me Shqipërinë, ne jemi të vendosur që të jemi gati. Nuk mund të bëjmë gabime si vendet e tjera për të qenë vonë në një krizë që nuk të lejon të jemi me vonesë. Duhet të jemi një hap përpara për t’u përgatitur’’- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Sajmir Tahiri.
Duke qëndruar në garantimin e sigurisë dhe evidentimin e elementeve të rrezikshme terroriste, të cilat mund të hynë së bashku me emigrantët, ministri Tahiri ka deklaruar se janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për evidentimin e këtyre rasteve.
“Kapaciteti ynë për të bërë skedim paraprak, marrjen e gjurmëve biometrike, nuk është i limituar, pasi kemi shkëmbim informacioni me partnerët, ndërkohë kemi rritur vëmendjen e skedimit të tyre. Kemi shkuar në kapacitetin e verifikimit për personat që vijnë në kufirin tonë’’- theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.
Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, theksoi se nuk ka vend për panik, ndërkohë bashkëpunimi i agjencive ligjzbatuese në lidhje me luftën ndaj terrorizmit është shumë i mirë.
LULJETA NDOKA
