Partneriteti i qeverisë me qytetarët, Orav: Qeveritë transparente janë më efikase

23.03.2016 14:37

Partneriteti i hapur qeveritar është një platformë ndërkombëtare që ka si qëllim sigurimin e transparencës dhe përgjegjësisë më të madhe nga ana e qeverisë për qytetarët....

Si pjesë e këtij projekti, që në vitin 2011 Qeveria e Maqedonisë është angazhuar që t'i përmirësojë institucionet që të jenë të hapura, transparente dhe të bashkëpunojnë me qytetarët, të jetë më efikase dhe më të përgjegjshme kur bëhet fjalë për nevojat e qytetarëve.

"Kur qeveritë janë transparente dhe bashkëpunojnë, ato janë më efikase dhe më të përgjegjshme në raport me qytetarët. Ky instrument paraqet një mjet, i cili mundëson përmirësimin e shoqërisë civile dhe i mundëson të njëjtës të përfshihet në krijimin e politikave. Fokusi duhet të vihet në themelimin e një këshilli për bashkëpunim me shoqërinë civile, për çka BE-ja inkurajon qeverinë të përshpejtojë këtë proces"- deklaroi ambasadori i BE-së në RM, Aivo Orav.

Qeveria ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për të krijuar këtë marrëdhënie partneriteti me qytetarët dhe biznesin, për krijimin e politikave, legjislaturës nacionale, strategjive dhe nismave, theksojnë nga ekzekutivi.

“Miratuam legjislacionin me të cilin garantohet qasja e lirë te informatat, filloi zbatimi i të dhënave të hapura dhe u themeluan mekanizma në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe kompanive. Është vendosur kornizë ligjore, e cila standardizon menaxhimin elektronik, me çka u përmirësuan shumë procese të cilat përmirësuan shërbimet administrative"- tha ministrja e Shoqërisë Informative dhe e Administratës, Marta Arsovska-Tomovska.

Republika e Maqedonisë në vitin 2014 miratoi planin e dytë aksional, në zbatimin e të cilit morën pjesë në mënyrë aktive rreth 40 organizata joqeveritare. Grupet e punës edhe nesër do të punojnë në temat: participimi në krijimin e politikave, liria e informacionit, parandalimi i korrupsionit, menaxhimi efikas i resurseve publike dhe transparenca në nivel lokal. (Gyltene Sinani, TVM2)