100 persona pa kulm mbi kokë, “Publik”: t’iu sigurohet punë dhe vendbanim

23.03.2016 14:53

Në Maqedoni numri i të pastrehëve është rreth 100...

Një hulumtim njëvjeçar nga Asociacioni për hulumtim dhe zhvillim “Pablik” tregon se ky numër nuk është real, pasi, sipas këtij Asociacioni, në kategorinë e të pastrehëve janë edhe njerëz që nuk kanë ku të jetojnë pasi lirohen nga burgu, apo ata që jetojnë tek familjarët për momentin sepse kanë humbur shtëpitë e tyre. Ata kërkojnë që këtyre njerëzve t’u sigurohet kulm mbi kokë.

“Rekomandimet tona për parandalimin e këtij fenomeni është punësimi dhe strehimi. Ne si shoqatë kemi punësuar persona të rrezikuar për të shitur revistën tonë ‘Ballë për ballë’. Këtu hyjnë edhe të pastrehët”- deklaroi Klimentina Ilijevska nga Asociacioni “Publik”.

“Është një problem global. Për t’u ballafaquar me këtë ne duhet të dimë dimensionet për zgjidhjen e këtij problemi. Në botë jetojnë 100 milionë njerëz që nuk kanë kulm mbi kokë dhe rreth 1.6 bilionë njerëz jetojnë në kushte të papërshtatshme”- tha Xhejms Stejn nga USAID.

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale theksojnë se nga hulumtimi i bërë, numri më i madh i të pastrehëve janë familjet shumëanëtarëshe.  

“Nga analizat e bërë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale kemi një numër të madh familjesh të pastrehë që kanë 4-5 fëmijë dhe një numër më të vogël të pastrehësh që jetojnë vetëm. Ne kemi ngritur një qendër sociale, ku për momentin strehohen 64 persona të pastrehë. Në këtë ka 22 persona pa familje dhe 11 familje me nga një ose më shumë anëtarë”- theksoi Dushan Tomshiq nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Në Maqedoni ka jo vetëm qendër për të pastrehët, por edhe qendër ditore për fëmijët e rrugës. Por, mbrojtja institucionale për këtë kategori të rrezikuar nuk ekziston edhe pse me ligj institucioneve kompetente ju takon të përkujdesen për ta, u tha në prezantimin e sotëm. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)