Gjykatat anulojnë seancat, nëpunësit gjyqësorë filluan grevën

23.03.2016 15:08

Nëpunësit gjyqësorë prej sot janë në grevë....

Sindikata e tyre kërkon që qeveria të mundësojë ndryshimet në Ligjin për shërbime gjyqësore, të kthejë orarin e punës prej orës 7:30 deri më 15:13, të kryej pagesën e 5% -it për 2015-tën, të cilën e ka premtuar, si dhe të rrisë pagat për administratorët gjyqësorë.

“Ajo që na shqetëson është se edhe pse greva ishte raportuar në mënyrë të rregullt, ende nuk ka përgjigje nga Ministria e Drejtësisë nëse ata e pranojnë Ligjin për shërbimin gjyqësor. Ne kërkojmë që punësimi të rregullohet ndryshe, të ketë më shumë konkurse të brendshme për avancim  më të madh në karrierë, kërkojmë ndryshime në vlerësimet dhe dënimet si dhe shumë kërkesa tjera”- deklaroi koordinatori i Këshillit të SPOGj-së, Tërpe Dejanovski.

Sot në gjykatat në Shkup janë anuluar proceset gjyqësore për shkak të grevës, por avokatët kanë vendosur të solidarizohen me kërkesat e punonjësve gjyqësorë.

“Seanca u anulua, e respektojmë grevën e nëpunësve gjyqësorë, ata po kërkojnë të drejtat e tyre, gjyqtarët janë në vendet e tyre të punës dhe anulojnë seancat gjyqësore”- tha një avokat.

“Këtu ka kushte shumë të këqija, ndërsa rrogat janë të mjerueshme, nëse mundet të hidhen miliona për gjëra të kota, atëherë mundet që edhe t’i rrisin rrogat e tyre, së paku të marrin dyfishin e rrogës aktuale”-  theksoi një avokat.

Nëpunësit e administratave të të gjitha gjykatave të vendit do të vazhdojnë me grevën edhe nesër, ndërsa të premten do të protestojnë para Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)