Maqedoni

Mbyllja e “Jugohromit”, Izairi: Vendos qeveria, ka edhe ndotës të tjerë veç tij

23.03.2016 15:10

Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, kërkon që kolegët e tij në ekzekutiv t’a marrin më seriozisht çështjen e ambientit jetësor...

Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, kërkon që kolegët e tij në ekzekutiv t’a marrin më seriozisht çështjen e ambientit jetësor dhe të sjellin vendim që të mos i japin të drejtë pune çdo ndërmarrjeje apo kombinati pa u respektuar fillimisht të gjitha ligjet për mbrojtjen e ambientit.
 
Izairi ripotencoi se ajrin në Pollog nuk e ndot vetë “Jugohromi” dhe porositi mediat që në trajtimin e temave të tyre mbi mbrojtjen e ambientit jetësor të ngrenë edhe problemin e ndotjes së ajrit nga faktorët e tjerë që lidhen drejtpërdrejt me qytetarët, siç janë përdorimi i automjeteve apo ngrohja me lëndë joekologjike.
 
“Askush nuk e thotë se ‘Jugohromi’ nuk është ndotësi, por nuk bën të neglizhohen edhe ndotësit tjerë që ndikojnë në parametra tjerë, për arsye se ‘Jugohromi’ do të ketë një përfundim sot a nesër. Ne nëse nuk e bëjmë një front të përbashkët, ku do të zgjedhim problemin e komunikacionit, problemin e ngrohjes. Sa herë që kam dhënë unë informata se ai nuk duhet të vazhdojë, por qeveria është organ kolektiv. Ministria si Ministri e ka bërë punën e vet, për herë të parë ia uli 50% të kapacitetit, por nuk ishte ajo e mjaftueshme, ajo që pata thënë unë, pata thënë se ajo duhet të mbyllet deri sa të harmonizohet me planin operativ, këtë e ka vendosur qeveria sipas ligjit”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Universitetit të Evropës Juglindore i është bashkangjitur një projekti për të analizuar se kush dhe sa merr pjesë në ndotjen e ajrit  në rajonin e Pollogut.
 
“Mendoj se numri i stacioneve matëse, qoftë të cilësisë së ajrit dhe parametrave tjera, qoftë klimaterike apo të ndotësve, duhet te jetë sa më i madh i mundshëm, me qëllim që matjet së pari të jenë objektive , pastaj nga matjet e qëndrueshme nga aspekti shkencor do nxirren e do t’i dorëzohen politikave që bëjnë komunat”- tha rektori i UEJL-së, Zamir Dika.
 
Sot Ministria e Ekologjisë dhe UEJL nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për dy projekte për matjen e ndotjes së ajrit dhe për shpalljen e malit Sharr në Park Kombëtar.
 
VISAR SADIKI