Idomeni, emigrantet në grevë urie, tërhiqen organizatat humanitare

23.03.2016 15:17

Vijojnë tensionet në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, aty ku emigrantët vazhdojnë protestat kundër mbylljes së kufirit...

Refugjatët fjetën në shinat e trenit në shenjë proteste dhe po ashtu bllokuan një kamion që po transportonte ushqim për në kamp. Ata kërkojnë që kufiri të hapet dhe të vijojnë udhëtimin e tyre për në vendet e Evropës perëndimore.

Rreth 12.000 refugjatë ndodhen në kampin e Idomenit dhe ende nuk dihet se si do të zgjidhet kjo situatë, duke qenë se edhe marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë nuk e ka përfshirë çështjen e emigrantëve të bllokuar në Idomeni.

Refugjatët thanë gjatë protestës se nuk do të lejojnë ushqim dhe ujë të hyjë në kamp deri sa kufiri të hapet.

Organizatat humanitare që po operojnë në kamp deklaruan se për momentin do ta ndërpresin punën, pasi situata është shumë e tensionuar dhe nuk mund të garantohet siguria e stafit të tyre. Gjatë mëngjesit emigrantët nuk i lejuan punonjësit e këtyre organizatave të shpërndanin ushqim.

Autoritetet greke kanë dërguar forca të shtuara policie për të mbajtur nën kontroll situatën e tensionuar. Aktualisht, Greqia është strehë e më shumë se 43 mijë emigrantëve, ndërsa të tjerë vijojnë të mbërrijnë në brigjet greke pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)