Kulturë

Ditët e Kulturës Maqedonase në Turqi, Shehabi: Prezantohemi me më të mirët

23.03.2016 16:24

Nga 25 deri më 28 Mars, kultura e Maqedonisë do të prezantohet në festivalin në Edrene të Turqisë...

Maqedonia përfaqëson në këtë festival pasuritë e saj kulturore e filmike. Agjencia e Filmit, Konoteka e Maqedonisë, ansamblet “Tanec” dhe “Karshiaka” do të jenë institucionet që do të prezantojnë kulturën tonë në Turqi.
 
“Do të shfaqen 14 filma dokumentarë dhe 12 filma të metrazhit të gjatë të autorëve maqedonas dhe shqiptarë, të cilët janë mbështetur nga Agjencia e Filmit e RM-së . Në bashkëpunim me Kinotekën e RM-së do të organizohet edhe  një ekspozitë e vëllezërve Manaki. Kjo ekspozitë bëhet për t’i njoftuar të pranishmit me veprimtarinë e kinematografëve të parë në Ballkan”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi.
 
“Ne do të përpiqemi që vlerat tona kombëtare në mënyrë më të mirë t’i prezantojmë dhe të lëmë përshtypje që pse jo edhe viteve të ardhshme të na drejtohet ftesa, që do të dëshmojmë se jemi një shoqëri me përkushtim dhe cilësore”- tha drejtori i Shoqatës së Folklorit “Karshiaka”, Burhan Saliu.
 
Por, në festivalin në Edrene do të prezantohet edhe një pjesë e historisë shqiptare që lidhet ngushtë me vendin mikpritës, shpërngulja e shqiptarëve në Turqi dhe beteja e Çanakalasë. 
 
“Dihet fort mirë se me miliona shqiptarë janë shpërngulur nga këto treva dhe kanë migruar në Republikën e Turqisë, ndërsa në betejën e Çanakalasë pjesëmarrja e shqiptarëve ishte masovike dhe deri tash nuk është shtjelluar. Ne po mundohemi t’i plasojmë ato shkaqet dhe synimin e tyre pse shkuan në këtë betejë dhe që ishin elementi kyç i fitores së kësaj beteje”- theksoi drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
Shehapi, ndërkohë, shpreson që në të ardhmen të organizohen edhe shumë manifestime të përbashkëta kulturore mes dy vendeve.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI