Maqedoni
Dimovski: Deklarata e Janevës, e rrezikshme
23.03.2016 16:28
Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së e dënoi deklaratën e prokurores speciale të një dite më parë...

Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së e dënoi deklaratën e prokurores speciale të një dite më parë, në të cilën Janeva konteston legjitimitetin e presidentit të Republikës, legjitimitetin e Parlamentit dhe të Gjykatës Kushtetuese. Koordinatori i Grupit Parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, ftoi Janevën që të kërkojë falje publike.
“Deklarata e Janevës është shumë e rrezikshme dhe dëm serioz për shtetformësinë. Sipas asaj deklarate, d.m.th. Maqedonia nuk ka institucione, nuk ka as kryetar, as Kuvend, as Qeveri, as Gjykatë Kushtetuese, d.m.th. ky shtet nuk ekziston. Kjo deklaratë është përpjekje për të çmontuar Republikën e Maqedonisë”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Dimovski gjithashtu e ftoi Janevën që të marr; pjesë në seancën e Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive dhe në seancën plenare për të sqaruar Raportin për punën gjashtëmujore të Prokurorisë Publike Speciale.
Edhe kreu i Këshillit të Prokurorëve Publik, Petar Anevski, u shpreh në të njëjtën vijë me grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së. Edhe ai konsideron se Janeva, patjetër, duhet ta sqarojë Raportin para Këshillit të Prokurorëve Publik.
“Pas hapjes së diskutimit mes anëtarëve të Këshillit, konstatuam se prokurorja Janeva duhet patjetër të vijë dhe të marrë pjesë në diskutim, për të sqaruar disa çështje të cilat nuk i kemi të qarta. Konsiderojmë se duhet të vijë dhe për këtë sot do të marrë ftesë me shkrim”- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Petar Anevski.
Në ndërkohë, kryetari i Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Vllatko Gjorçev, për herë të tretë pezulloi seancën, ku duhej të shqyrtohej Raporti gjashtëmujor i PPS-së, për shkak të mungesës së Janevës.
Përkundër qëndrimit të prerë të Janevës, se nuk do t’i përgjigjet ftesës, Gjorçev sërish caktoi vazhdimin e seancës për të enjten. Pavarësisht epilogut në Komision, Raporti i PPS-së do të jetë në seancë plenare ditën e hënë.
Ndryshe, në Raportin e PPS-së thuhet se në gjashtë muajt e kaluar kjo Prokurori ka hapur gjithsej 120 procedura parahetimore, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me parregullsi zgjedhore, përgjimin e paligjshëm dhe financimin e jashtëligjshëm të mediave.
SHPËTIM NUREDINI
