Futboll

Ndryshohet fusha, Portugali-Belgjikë do të luhet

23.03.2016 16:45

Terrorizmi nuk e ndal dot futbollin. Për cështje sigurie pas sulmeve me bomba që tronditët Brukselin mëngjesin e të Martës...

Terrorizmi nuk e ndal dot futbollin. Për cështje sigurie pas sulmeve me bomba që tronditët Brukselin mëngjesin e të Martës, federata belge e futbollit vendosi të anulonte sfidën miqësore mes Djajëve të Kuq dhe Portugalisë e programuar për tu zhvilluar të Martën e ardhshme në kryeqytetin belg.
 
Por vetëm pak orë pasi u dha lajmi për shtyrjen e kësaj sfide dy federatat ajo belge dhe ajo portugeze arritën një marrëveshje dhe dolën me një vendim të ri, Belgjikë-Portugali nuk do të zhvillohet, por do të luhet Portugali-Belgjikë.
 
Takimi mes përfaqësues së drejtuar nga Marc Wilmots dhe asaj luzitane nga frika e ndonjë tjetër sulmi terrorist nuk do të zhvillohet në Bruksel por në Leiria të Portugalisë.
 
Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për përgatitjet e të dyja këtyre kombëtareve për Europianin Francë 2016, dhe kjo është arsyeja që dy federatat dolën me një vendim të ri për zhvillimin e kësaj sfide.
 
Ndërkohë pas ngjarjeve të ndodhura në Bruksel përfaqësuesja belge vazhdon të stërvitet me dyer të mbyllura.