Maqedoni
Sulmet terroriste në Bruksel, analistët: asnjë vend nuk është imun
23.03.2016 16:48
Sulmet e fundit në Bruksel dëshmojnë se asnjë shtet nuk është imun ndaj terrorizmit...

Terrorizmi nuk zgjedh vendin se ku do të realizojë aktet, por më shumë zgjedh cakun, vlerësojnë profesorët universitarë, Qashif Bakiu dhe Ylber Sela.
Sipas tyre, të martën në Bruksel nuk dështuan shërbimet evropiane të sigurisë, por u tregua se BE duhet të punojë më shumë për unifikimin dhe gjetjen e masave të reja për të luftuar këtë dukuri, sepse terrorizmi është gjithmonë një hap para sigurisë.
“Masat të cilat janë ndërmarrë deri tash nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe këtë e përdëfton fakti i ndodhive të fundit, siç janë rasti i Brukselit, Turqisë apo rastet e tjera të kësaj natyre. Jam i mendimit se duhet ndryshuar vështrimi ndaj kësaj qasje, mbase ky qëndrim nuk qëndron vetëm në rigorozitetin e masave, por në gjetjen e masave të reja për sa i përket luftimit të kësaj dukurie”- deklaroi profesori universitar, Qashif Bakiu.
“Nuk është dështim, por nuk ka unifikim të politikës së jashtme të sigurisë, sepse çështja e terrorizmit është problem global. Unë shpresoj se BE do të bëjë përpjekje që shtetet e fuqishme të saj të unifikojnë interesat dhe politikat e tyre, sepse kjo është një çështje që prek të gjithë popujt. Nga mosunifikimi i politikave të jashtme vijnë deri te kjo”- tha profesori universitar, Ylber Sela.
Sela, gjithsesi, është i mendimit se sulmet terroriste nuk rrezikojnë mbylljen e kufijve të BE-së. Të gjithë janë të vetëdijshëm se nëse mbyllen kufijtë do të ketë trazira edhe më të mëdha, të cilat nuk janë në interes të askujt, thotë ai.
“Do të arrijë më në fund që të ruajë kufijtë të hapur, sepse mbyllja e kufijve do të çonte në trazira të cilat do të mund të kapin edhe shtete tjera të cilat janë përreth BE-së. Kjo nuk është as në interes të BE-së e as në interes të shteteve që kufizohen me vendet e BE-së”- theksoi profesori universitar, Ylber Sela.
Shpërthimet e së martës shtojnë frikën se, edhe me masat më të jashtëzakonshme të sigurisë, shoqëritë evropiane nuk do të jenë kurrë të përjashtuara nga çdo rrezik.
Por, ekspertët vlerësojnë se edhe vendi ynë duhet të këmbejë informacionet e nevojshme me shërbimet ndërkombëtare të inteligjencës, sidomos tani kur kriza e refugjatëve në kufi po tensionohet.
SANIJE DURAKU
