Maqedoni
KShZ: 89.383 të dhëna do të inspektohen në terren
23.03.2016 17:02
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka zvogëluar numrin e personave që do t’i nënshtrohen kontrollit në terren...

Pas seancës së mbrëmshme, KShZ njoftoi se 89.383 të dhëna, që nënkupton emra, mbiemra dhe adresa, është shifra e fundit që do t’i nënshtrohet inspektimit në terren nga 100.436 të dhëna të personave që KShZ i paralajmëroi fillimisht. Për pjesën tjetër do të pasojë kontroll administrativ, njoftojnë në KShZ.
“Në mbledhjen e mbrëmshme që ne patëm është konstatuar çështje teknike nga koordinatori i grupit të IT sektorit, që është i angazhuar nga IFES-organizata ndërkombëtare, me të cilin konstatim të gjithë ata qytetarë që gjinden në ato pyetje, ata të cilët për herë të parë mbi 30 vjet kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, që të mundet t’i detektojmë dhe njëkohësisht të kemi kontakt nga terreni, që mund të themi se mund të jenë diçka kontestuese. Nga numri 11 e 600, sa e nxorën, për herë të parë është konstatuar ky gabim dhe tash nuk është ky numër 11.660, por është 2630 persona, me të cilët u zvogëlua edhe numri i daljes në terren nga numri i përgjithshëm. Tash kemi numrin 89 mijë e 383 votues, që duhet të kontaktojmë me ta në terren”- deklaroi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Në bazë të të dhënave nga kontrolli i kryqëzuar, lëndë e inspektimit në terren apo administrativ do jenë të gjithë ata persona për të cilët do të ketë indikacione se janë të kontestuar, pavarësisht nëse jetojnë në Maqedoni apo jashtë vendit, sqaron Jakupi.
Shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata do të ndodhen në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve, deklaroi Jakupi.
Ndërkohë, KShZ vazhdon me përgatitjet e anketuesve për kontrollin në terren, i cili duhet të fillojë nga fundi i javës.
NAIM RAMADANI
