Presidencialet në ShBA, Trump dhe Clinton kryesojnë në Arizona
Kandidati republikan, Donald Trump, dhe kandidatja demokrate, Hilary Clinton, kanë kryesuar zgjedhjet në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke qenë gjithnjë e më pranë zyrtarizimit të kandidaturës së tyre për president...

Rivalët e tyre respektivë, Crus dhe Sanders, kanë marrë më shumë vota në Utah, teksa zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në Hauai, Alaska dhe Uashington.
Trump siguroi votat në Arizona pas një fjalimi të vendosur kundër emigrantëve dhe militantëve islamikë, ndërsa pati edhe mbështetjen e një njeriu me mjaft influencë në këtë zonë si sherifi Joe Arpaio.
Në krahun tjetër, Hilary Klinton triumfoi në Arizona përballë Sanders, duke e thelluar avantazhin ndaj tij dhe duke qenë gjithnjë e më pranë zyrtarizimit të kandidaturës së saj për presidente, megjithëse Sanders fitoi në Utah dhe Idaho, ç’ka e mban ende në garë, ndërsa shpreson të sigurojë shumicën e votave në Hauai, Alaska dhe Uashington.
Gjithsesi, votimet e kryera në Arizona dhe Utah kaluan në plan të dytë për shkak të sulmeve terroriste në Bruksel, duke ngritur shqetësim në lidhje me çështjen e sigurisë edhe në ShBA.
